Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e Salih Jakut nga Kruma e Hasit. Ai ka thënë se shtëpia e bacës Salih, ka qenë bazë e fuqishme e luftës sonë çlirimtare.
Lexoni të plotë postimin e Veselit në Facebook:
“Sapo mora vesh se është ndarë nga jeta Salih Jaku, nga Kruma e Hasit. Shtëpia e bacës Salih, ka qenë bazë e fuqishme e luftës sonë çlirimtare.
Me qindra djem e vajza të UÇK-së, gjatë rrugës për në Kosovë, kanë gjetur strehë, çlodhje dhe mikpritje në konakun e ngrohtë të bacës Salih. Ne mesin e tyre ishin Fehmiu dhe Xheva, Bekim Berisha – Abeja, e komandant Kumanova. Në një rast, Xheva ia dhuroi nuses së shtëpisë unazën e saj të martesës, duke i thënë: “Ti je nuse e re dhe të duhet, ndërsa unë po shkoj të luftoj për Kosovën”.
Baca Salih na priste dhe përcillte ditën dhe natën pa u lodhur asnjëherë.
I paharrueshëm do të jetë kujtimi për te!”. /Telegrafi/


