Manchester Unitedi do të zhvillojë negociatat me portierin e huazuar në Sheffield United, Dean Hendersonin, javën e ardhshme, sipas DailyMail, përderisa presioni po vazhdon të shtohet mbi David De Gean.
Dean Henderson do të kthehet në Old Trafford sezonin e ardhshëm, pasi i ka kaluar dy vjetët e fundit i huazuar në Sheffield United, nëse i garantohet pozita e portierit të parë, shkruan DailyMail, transmeton Gazeta Express.
23-vjeçari ambicioz nuk dëshiron të kthehet në klub për të mbetur vetëm portier i dytë prapa De Gean, i cili po përballet me kritika të shumta dhe presion të madh pasi gabimeve të tij në disfatën me rezultat 3:1 kundër Chelseat në gjysmëfinale të FA Cup.
Gabimet e De Geas këtë sezon e kanë shtuar presionin mbi trajnerin Ole Gunnar Solskjaer, nga i cili po kërkohet të mos e emërojë spanjollin në formacion të parë, përderisa edhe e ardhmja e 29-vjeçarit në klub është vënë në dyshim.
Këto kritika kanë bërë që dera në klub të qëndrojë e hapur për Henderson, i cili ka shfaqur formë mbresëlënëse gjatë dy sezoneve të tij në Sheffield.
Henderson do ta luajë ndeshjen e tij të fundit për këtë sezon të dielën dhe pastaj do të takohet me përfaqësues të Djajve të Kuq. Ata do të diskutojnë për kontratën e tij dhe për rolin që do ta ketë anglezi në skuadër gjatë sezonit të ardhshëm.


