Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi mund të rikthehet nga Qeveria e Kosovës në Kuvend për votim. Javën e kaluar, në emër të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tërhoqi këtë projektligj nga shqyrtimi dhe votimi parlamentar për arsye të ndryshme.
Ndër kryesoret ishin mungesa e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend, çka i pamundësonte koalicionit të siguronte 80 votat e nevojshme për ratifikim, si dhe kundërshtimet e ashpra të opozitës dhe kujdesi i treguar i kryeministrit për ruajtjen e gjendjes së sigurisë në vend.
Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në Kosovë po shihet nga dy perspektiva. E para, ajo e koalicionit qeverisës, sipas së cilës, kjo është një marrëveshje të drejtë sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe është e domosdoshme për fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kurse nga perspektiva e opozitës, po shihet si marrëveshje jo e drejtë që i humb Kosovës një territor prej mbi 8 mijë hektarësh.
Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dështimi eventual i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje do të hap shumë dilema, të cilat, sipas tij, nuk do të kenë përgjigje në Kosovë, por vetëm në Bruksel.
Ratifikimi i Demarkacionit, sipas ministrit Çollakut, mbetet kushti i fundit për heqjen e vizave dhe i cili nuk mund të anashkalohet nga ana e institucioneve të Kosovës.
“Në rastin tonë, përkundër përparimeve të mëdha që janë bërë, përkundër hapave ligjor që janë ndërmarrë nga ana e Komisionit Evropian dhe përkundër faktit që kjo çështje do të trajtohet edhe në Komisionin e Parlamentit Evropian për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza, përderisa ne nuk i përmbushim të gjitha obligimet e parapara”, ka thënë Çollaku.


