Pjesa më e madhe e konsumit të ushqimit duhet të përbëhet nga ushqime të shëndetshme, të tilla si frutat, perimet, drithërat dhe produktet e qumështit pa yndyrë ose me pak yndyrë.
Së bashku me ushqimin e shëndetshëm, jeta aktive mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, disa llojeve të kancerit dhe t’ju ndihmojë të keni një peshë trupore të shëndetshme.
Për të mësuar më shumë se cilat ushqime duhet t’i konsumojmë, cilat dieta janë më të suksesshme e si t’i analizojmë më lehtësisht vlerat e ushqimeve, Telegrafi ka realizuar një intervistë me Vala Pupovcin, dietologe dhe nutricioniste, e cila ka studiuar dietologjinë në Athinë duke marrë diplomë nga universiteti prestigjioz Coventry University.
Foto: Facebook
Fillimisht Pupovci tregon se cilat janë lëndët ushqyese kryesore që duhet t’i konsumoj një person:
“Një person duhet t’i konsumoj të gjitha lëndët ushqyese, duke përfshirë këtu së pari makronutrientët si: proteinat, karbohidratet dhe yndyrat. Një dietë e shëndetshme përmban diku 45—50 për qind karbohidrate, 15-20 për qind proteina, 25-35 për qind yndyra. Më shumë ka rëndësi raporti i shpërndarjes së tyre, se sa eleminimi i njërit prej tyre. Pastaj ka lëndë tjera që kanë shumë rëndësi si: kalciumi, hekuri, mineralet, vitamina, C, vitamina A, jodi, seleni dhe zinku. Nëse keni një dietë të pasur, mund t’i merrni të gjitha pa problem. Përveç vitaminës D, e cila merret me anë të ekspozimit ndaj diellit dhe në disa ushqime të pakta, por në periudhën e dimrit duhet të merret me anë të suplementeve”.
Foto: Healthline
Tutje, ajo tregon se si e ndihmon një klient që të fillojë të humbasë peshë dhe cilat janë këshillat kryesore që jep:
“Së pari tregohen qëllimet: a kanë nevojë klienti për humbje, shtim apo mbajtje të peshës apo thjesht menaxhim të problemeve shëndetësore që vijnë nga ushqimet. Së pari me klientin bëhet matja trupore, pastaj përcaktohet dieta e personalizuar për secilin person. Nëse duan humbje peshe, këshillohet të konsumojnë porcione më të vogla të ushqimit, ndryshe kur dikush dëshiron të shtoj peshë, at herë këshillohet të konsumoj porcione më të mëdha. Edhe këshillat gjithmonë janë të personalizuara”.
Foto: Facebook
Disa nga metodat më efektive që ajo ka hasur për humbjen e peshës:
“Metoda më efektive për humbjen e peshës është mënyra e shëndetshme e ushqyerjes, me kalori të kontrolluara. Së pari duhet të jetë një plan që klienti nuk ka vështirësi ta mbaj, nuk ka nevojë për shumë energji. Problemi kryesor nuk është te humbja e peshës, por te mbajtja e peshës. Zakonisht njerëzit e fillojnë dietën me një eufori shumë të madhe, mirëpo shumë shpejt ky motiv bie dhe shpejtë kthehet pesha. Prandaj, unë preferoj një dietë ku lejohen të gjitha ushqimet, nuk ka diçka që nuk lejohet, thjeshtë varet sasia dhe koha kur konsumohen”.





