Katër dërgesa me vaksina nga një kontingjent 2-milionësh, të paguara nga Ministria e Shëndetësisë, janë bllokuar në depon e Aeroportit të Prishtinës. Arsye mbetet mungesa e licencës së AKPM-së për furnizim me këto vaksina
Një kontingjent me vaksina ka disa ditë që është bllokuar në depon e Aeroportit të Prishtinës, pasi ato nuk po lejohen të futen në Kosovë.
Arsye për moslejimin e futjes së kontingjentit të vaksinave është mungesa e licencës së lëshuar nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM).
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se 4 dërgesa janë të bllokuara në depon e Aeroportit të Prishtinës.
“Ne vetëm kërkojmë që vaksinat të kenë licencën e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”, ka thënë zëdhënësi doganor, Adriatik Stavileci.
Gazeta “Zëri” ka mësuar jozyrtarisht se kontingjenti i vaksinave është porositur nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe janë paguar paraprakisht në vlerë rreth 2 milionë euro. ...


