Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë.
Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Lajmi vjen pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e para të së martës se Policia e Kosovës, nga 1 nëntori, nis me zbatimin e planit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa të paligjshme, që i lëshojnë autoritetet serbe.
Ky plan pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri të Kosovës, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Vuçeviq tha për Televizionin Happy në Serbi se Vuçiq, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar ushtrinë serbe që ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake në atë pikë që të mund t’i përgjigjet çdo detyre.
“Serbia është një vend serioz. Ajo merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme”, tha Vuçeviq.
Ai shtoi se, mëngjesin e së martës, është bërë qortimi i parë për targat.
Targat që i lëshojnë autoritetet serbe, konsiderohen të paligjshme në Kosovë, por ato janë toleruar në veri të Kosovës që nga paslufta, më 1999.
Çështja e targave është bërë shkas i tensioneve në veri, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.
Për të qetësuar situatën dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 nëntor.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar sërish shtyrje, edhe për dhjetë muaj të tjerë, dhe janë shprehur “të zhgënjyera” me mosveprimin e Qeverisë sipas kërkesave të tyre. /REL/


