Tuchel beson se ndeshja në ‘Bernabeu’ do të jetë më ndryshe se ajo në ‘Parc des Princes’… Los Blancs u mposhtën 3-0 në takimin e parë….
Pasi Paris Saint Germaini e mposhti 3-0 Real Madridin në ndeshjen hapëse në Ligën e Kampionëve në Grupin A, dy muaj më vonë, këto skuadra do të përballen sërish, tani në ‘Santiago Bernabeu’, raporton Gazeta Express.
Thomas Tuchel, trajneri i PSG-së, mendon se do të jetë tjetër përballje, ani pse të martën mbrëma i ka të gatshëm Neymarin, Mbappen e Cavanin, që munguan në takimin e parë.
“Është ndeshje më ndryshe për shumë arsye”, u shpreh ai në konferencë për media. “Së pari, do të luajmë në Madrid – një ndër stadiumet më të vështira për të luajtur. Madrid ka lider dhe kapiten në gjithë fushën”.
“Tani ata po luajnë mirë dhe janë në formë të shkëlqyer. Kanë më shumë fitore dhe pranojnë më pak gola”.
“Është vështirë të luash kundër Madridit tani, veçanërisht kur ata luajnë në shtëpi. Por, ne jemi ekip mirë i balancuar. Jemi të rrezikshëm dhe do t’i sfidojmë ata”.
“Është kohë e mirë t’ju tregojmë të gjithëve se jemi në gjendje të bëjmë një ndeshje të mirë edhe në një takim të vështirë si ky”. /Gazeta Express/


