E gjithë fushata elektorale e kryetarit të tanishëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka qenë e stërmbushur me premtime për transparencë. Mirëpo gjërat ndryshuan në momentin që u zgjodh për të qeverisur me kryeqytetin. Kanë kaluar nëntë muaj prej se Vetëvendosje mori pushtetin dhe komuna funksionon pa Zëdhënës.
Gazeta Express ka tentuar disa herë të marrë informacione për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me Komunën e Prishtinës, si përmes telefonatave ashtu edhe përmes pyetjeve të ndryshme, por gjithmonë ka hasur në një ‘bllokadë’ të informacioneve nga ana e zyrtarëve të komunë. Kësaj i ka ndihmuar më së shumti Shefja e kabinetit të Shpend Ahmetit, Fitore Pacolli, e cila kishte dështuar të behej asambliste e VV’së në Komunën e Prishtinës.
Pacolli përveç detyrës që ka si shefe e kabinetit të kryetarit, ajo ka marrë përsipër që të jetë edhe ‘zëdhënëse’ e komunës.
Mirëpo, sa po tregohet ajo transparente dhe e përgjegjshme ndaj medieve, flasin vetë gazetarët dhe përvojat e tyre.
Gazetarët të cilët përcjellin Komunën e Prishtinës, shprehen të pakënaqur me komunikimin me Komunën dhe konkretisht me Fitore Pacollin.
Artiana Matoshi, nga Koha Ditore, ka thënë për Express që disa herë i ka ndodhur t’i vonohen përgjigjet, t’i kthehen përgjigjet e mangëta e madje edhe të mos i kthehen fare.
Ajo thotë t’i ketë ndodhur disa herë që për pyetjet e saj, Komuna ka dërguar komunikatë për të gjitha mediat, duke ia djegur temën.
Ngjashëm shprehet edhe Arbresha Fazliu, gazetare në Klan Kosova.
“I vonojnë përgjigjet” ka thënë për Express, Fazliu.
Nën anën tjetër, Flamur Shala, asamblist në Asamblenë Komunale të Prishtinës, nga radhët e LDK’së, këtë zbrazëti e konsideron pasojë të neglizhencës së Shpend Ahmetit.
“Zëdhënësi dhe shefi i kabinetit dallojnë. Si shumë punë që i ka neglizhuar dhe i ka konsideruar dytësore dhe tretësore, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk është marrë me këtë punë seriozisht, prandaj edhe ka ngelur pa këtë pjesë të rëndësishme të Komunës” ka thënë për Express, Shala.
Krahasuar me kohën kur LDK’ja ka qeverisur me Prishtinën, në aspektin e informimit dhe marrëdhënieve me publikun, dukshëm vërehet dallimi.
Ish-zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, thotë se për momentin Zyra për Marrëdhënie me Publikun, nuk është fare funksionale dhe nuk po e kryen rolin për të cilin e obligon ligji.
Sipas tij, nuk ekziston asnjë arsye relevante që do ta arsyetonte mos zgjedhjen e një zëdhënësi apo udhëheqësi të kësaj zyre.
Osaj, thotë se rrjetet sociale, megjithëse kanë një rol të madh në informimin e publikut, prapë nuk e mbushin këtë zbrazëti.
Ai i bën thirrje Shpend Ahmetit që sa më shpejtë ta funksionalizojë këtë zyrë dhe që premtimet për transparencë të mos mbeten vetëm fjalë boshe/express/