Ish-trajneri i West Brom, Tony Pulis, e ka pranuar se është tejet i tronditur nga transformimi i Serge Gnabry, pasi anësori gjerman i shënoi katër gola në fitoren e Bayern Munich 7:2 kundër Tottenhamit në Ligën e Kampionëve.
Si lojtar i Arsenalit, Gnabry i kishte kaluar disa muaj në huazim te West Bromi në vitin 2015, por i kishte bërë vetëm tri paraqitje për këtë klub për shkak të problemeve fizike, para se “Topçinjtë” ta rikthenin në klub, transmeton Gazeta Express.
Për shkak se nuk ishte në gjendje të siguronte vend as në skuadrën e Arsenalit, Gnabry kaloi te Werder Bremen në vitin 2016 para se të blihej nga Bayern Munich një vjet më vonë.

Dhe tani një yll shndritës në Gjermani, 24-vjeçari e vodhi shfaqjen të martën mbrëma kundër Tottenhamit dhe ish-trajneri i tij Pulis ka mbetur i mahnitur nga përparimi i tij që nga viti 2015.
“Jam i mahnitur. Ai ishte me ne te West Brom. E morëm në huazim por nuk ishim në gjendje ta riaftësonim fizikisht asnjëherë. Mendoj se e nxorëm edhe nga një ndeshje me U-21”, tha Pulis për Sky Sports.
“Ai u kthye në Arsenal, ata e shiten. Ai ishte djalosh i mirë. Ai e ka përmbushur potencialin e tij tani. Jam i tronditur sepse kam punuar me të në West Brom dhe e kam parë atje, por ajo që ka arritur ai është tejet mahnitëse”, shtoi ai. /Gazeta Express/


