Trajneri i Danimarkës, Age Hareide, e ka akuzuar Paul Pogban se nuk brengoset për asgjë tjetër përveç stilit të flokëve, si dhe ka thënë se kundërshtarja i tij në Kupën e Botës, Franca, nuk është aspak e veçantë.
Danimarka do të luajë në Grupin C në Rusia 2018 kundër Francës, Australisë dhe Perusë, transmeton Gazeta Express.
Ylli i Manchester Unitedit, Paul Pogba, pritet të luajë rol kyç në skuadrën e Didier Deschamps, por Hareide e ka kritikuar mesfushorin 25-vjeçar.
“Ai luajti kundër Manchester Cityt me flokë të lyera kaltër e bardhë. Mbase do t’i lyejë kuq e bardhë për të luajtur kundër nesh. Vetëm për flokët mendon ai?”, ka thënë Hareide.
Franca është e shtatë në botë dhe shkon në Kupën e Botës si njëra prej favoriteve kryesore.
Derisa i akuzoi për mungesë të lidershipit, Hareide ka thënë se skuadra e tij s’ka pse t’i frikësohet Francës.
“Ekipet e renditura në krye të ranglistës botërore janë më të mirat në botë, ama kjo s’vlen për Francën. E pashë Francën kundër Suedisë në Stokholm, nuk janë aspak të veçantë”, shtoi ai. /Gazeta Express/


