Youri Tielemans raportohet se i ka informuar miqtë e tij se dëshiron që të transferohet te Arsenali.
Mesfushorit belg i skadon kontrata me Leicester Cityn në vitin e ardhshëm, teksa ai vazhdimisht ka qenë i lidhur me një kalim në “Emirates” këtë verë, transmeton Gazeta Express.
Interesimi i Arsenalit thuhet se u ftoh me kalimin e kohës, pasi trajneri, Mikel Arteta, dhe drejtori sportiv, Edu, u jepnin përparësi përforcimeve të tjera.
Megithatë, “Topçinjtë” besohet se do të përforcohen edhe me një mesfushor para fillimit të sezonit të ri dhe kështu interesimi i tyre për Tielamansin mund të ringjallet.
Sipas “Football Insider”, 25-vjeçari u ka thënë të afërmve se e dëshiron transferimin te londinezët.
Ish-mesfushori i Monacos ka refuzuar mundësinë për të rinovuar kontratën me Leicester Cityn dhe besohet se është i etur për një kalim te skuadra e drejtuar nga Arteta – sa më shpejt që të jetë e mundur.
Si rezultat i kësaj, Arsenali pritet që të shtojë interesimin për të nënshkruar me Tielamansin. Një marrëveshje thuhet se mund të mbyllet për 30 milionë funte. /Gazeta Express/


