Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme ka vazhduar takimet me përfaqësues shtetëror të Maltës, gjatë vizitës zyrtare që është duke e realizuar në kryeqytetin Valeta.
Thaçi është takuar me kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, me të cilin kanë bashkëbiseduar për mundësinë e intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.
“Iniciativa e përbashkët për një kornizë të bashkëpunimit në mes të dy MPJ-ve është duke u implementuar me përkushtim të madh. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Maltës për Kosovën”, ka thënë presidenti, duke shtuar se Malta ka mbështetur Kosovën në nivel politik, por edhe me personel në organizatat ndërkombëtare në Kosovë.
Ai ka rekomanduar takim të komunitetit të biznesit të dy vendeve që të eksplorohen mundësitë e bashkëpunimit në sferën ekonomike.
Kryeministri maltez është zotuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat, transmeton Klan Kosova.


