Thaçi: Ky është shteti ynë, t’i dalim zot shtëpisë

PUBLIKUAR

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka uruar qytetarët e Kosovës, duke thënë se shteti ende ka shumë sfida.

Lexoni të plotë urimin e zëvendëskryeministrit Thaçi

“Të nderuar miq, ju uroj nga thellësia e zemrës gëzuar pavarësinë e Republikës së Kosovës! Akti solemn i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës 8 vite më parë është padyshim një ndër arritjet më të madhe historike të kombit tonë. Kjo ngjaje është festë e madhe për të gjithë shqiptarët prandaj urimet e mia të përzemërta ua dërgoj shqiptarëve të të gjitha trojeve dhe të diasporës. Këto tetë vite të shtetit tonë dëshmojnë se projekti i suksesshëm i Kosovës si shtet sovran e i pavarur, përveçse ishte një domosdoshmëri historike që mundësoi vënien në vend të një padrejtësie shekullore , është edhe një model për gjithë rajonin për sa i përket fqinjësisë së mirë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe pakicave si dhe harmonisë fetare.

Në këtë ditë të shënuar ne përulemi para atyre qindra dhe mijëra djem e vajzave, burrave e grave, që me përpjekjet e tyre të pareshtura duke mos kursyer as jetën, i sollën lirinë vendit tonë. Në respekt ndaj tyre, dhe për hir të fëmijëve tanë e brezave që do vijnë, ne duhet ta festojmë këtë ditë me krenari e përgjegjësi. Mirënjohje të madhe shprehim edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë, ndihmën e të cilëve e shohim si obligim për të punuar më shumë. Atyre sot u themi se tek Kosova do të gjejnë gjithmonë një partner të besueshëm, që është renditur pas asnjë mëdyshje në anën e drejtë të historisë, në anën e atyre vendeve që synojnë të promovojnë lirinë, demokracinë dhe paqen.

Shteti ynë i ri ka ende shumë sfida të trashëguara e të reja për të përballur, por historia që kemi lënë pas na tregon se kemi kapërcyer vështirësi edhe më të mëdha se këto, prandaj unë jam i bindur se të bashkuar ne do ia dalim që ta bëjmë Kosovën një vend me demokraci dhe ekonomi të zhvilluar, anëtare të denjë të komunitetit Euro-Atlantik. Miq të dashur kjo është toka jonë e lirë, ky është shteti ynë i pavarur, këto janë institucionet tona demokratike , jemi ne ata që duhet t’i dalim zot shtëpisë sonë!”. /Telegrafi/

 

SHIKO MË SHUMË

Shantazhoi viktimën me vite dhe i mori një shumë të konsiderueshme parash, arrestohet i dyshuari

Një person është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se për disa vjet kishte shantazhuar...

Arrestohen dy persona në Fushë-Kosovë, dyshohen se vodhën 80 litra naftë

Dy persona janë arrestuar në Fushë-Kosovë, pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 80 litra...

Policia arreston hajnat e pyllit në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje të drunjve në...