Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ende nuk dihet koha e saktë kur do të votohet për Hashim Thaçin president të Kosovës.
“Nuk mund ta dimë kohën e saktë, sepse kjo ka të bëjë me procedura të Kuvendit. Meqë sot nuk kishte takim të kryesisë, besoj se do të ndodh këtë javë takimi i kryesisë dhe pastaj të dihet data e saktë”, tha Hoxhaj në Info Magazine të Klan Kosovës.
Ai tha se “si koalicion qeverisës, meqë Thaçi është kandidat për president, në do të provojmë që të marrim nënshkrimet. Zgjedhja e presidentit do të bëhet me një seancë solemne, pra në një ditë të veçantë. Kryeministri mund të thërras një seancë”.
Por Hoxhaj tha se këtë kohë më e rëndësishme është të ketë qartësi politike.
“Gjëja më e rëndësishme është që vendi të ketë qartësi politike. Jahjaga ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Qe dy vite prej kur është nënshkruar koalicioni është ditur se Thaçi do të bëhet president. Ai do të jetë një president dinjitoz”.
Meqë është afat kushtetues, Hoxhaj tha se Thaçi duhet të zgjedhet president deri më 7 mars.
“Partnerët e koalicionit kanë pasur disa takime, por edhe me partitë tjera nga minoritet. Kemi një shumicë të madhe parlamentare prej 89 vetave, mandej mbetet të shihet çfarë do të bëjë Thaçi si president për dalje të vendit nga kriza”, tha ai.


