Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka reaguar ashpër ndaj djegies së veturës së familjes së ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi.
Thaçi në një postim në Facebook thotë se ky sulm ka motive të qarta politike që cenon hapur pluralizmin, lirinë e shprehjes dhe të mendimit.
“Me indinjatë të thellë dënoj ashpër aktin e shëmtuar të djegies së makinës së familjes së Memli Krasniqit gjatë natës së kaluar. Ky akt i shëmtuar ka synuar të terrorizojë familjen Krasniqi dhe ka qenë një mjet shantazhues për t’u zmbrapsur prej qëndrimeve dhe bindjeve politike të ministrit Krasniqi. Ky ishte sulm me motive të qarta politike që cenon hapur pluralizmin, lirinë e shprehjes dhe të mendimit”, ka thënë Thaçi.
Thaçi, që njëherësh është edhe ministër i Jashtëm dhe shef i Krasniqit në PDK, ka potencuar se janë pikërisht këto disa nga vlerat më të çmuara të shoqërisë dhe “nuk do të lejojmë askënd që t’i kërcënojë ato nëpërmjet dhunës”.
“Unë i shpreh keqardhjen dhe solidaritetin familjes Krasniqi për ngjarjen e rëndë me të cilën janë përballur dhe i siguroj që gjithë qytetarët e ndershëm të Kosovës e konsiderojnë atë veprim të papranueshëm dhe të dënueshëm. Unë bëj thirrje për një veprim të shpejtë dhe të vendosur të organeve të rendit publik për të kapur dhe vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të ulët vandal”, ka thënë Thaçi.


