Trajneri holandez, Eric Ten Hag, nuk mendon që shterja e ndeshjeve në ligën holandeze i jep një avantazh Ajaxit ndaj Tottenhamit.
Komentet e Ten Hag vijnë si përgjigje ndaj komenteve të trajnerit të Spurs, Mauricio Pochettino i cili u ankua për avantazhin që po i jep liga holandeze Ajaxit para sfidës në Ligën e Kampionëve.
Vikendin që lamë pas, për ta ndihmuar Ajaxin, Federata e Futbollit te Holandës mori vendim që t’i shtyjë të gjitha ndeshjet e xhiros së 33.
Ten Hag si kundërpërgjigje e përmendi shifrat që shpenzojnë dy klubet.
“Ne kemi buxhet 10 milionë euro pasi që luajmë në një ligë më të dobët. Ndërsa ata përfitojnë shuma marramendëse në Premierligë. Po kjo a është e padrejtë?”, thotë holandezi.
49-vjeçari shton se mosha e re në skuadrën e tij nuk do të jetë një arsyetim.
Ai specifikoi se në afatin e verës blenë Daley Blind dhe Dusan Tadic për të rritur eksperiencën në klub.
“Lojtarët e rinj janë pjekur këto dy vite. Kjo si pasojë e numrit të madh të ndeshjeve të luajtura në ligë dhe në gara evropiane. Ekipi është i bashkuar. Ne duam të jemi të guximshëm në fushë, por nuk duhet të jemi naivë.”, ka thënë trajneri i Ajaxit.
“Kemi arritur diçka, por duam ende. Ekipi është i mirë, ne jemi të gatshëm dhe shumë të freskët. Ne mund të paraqitemi mirë.”, shtoi për fund Ten Hag.
Ndryshe sfida mes Ajaxit dhe Tottenhamit do zhvillohet të martën nga ora 21:00. /Gazeta Express/


