Kryetari KBI-Lipjan, Zaim Baftiu ka uruar besimtarët Mysliman me rastin e festës së Kurban Bajramit.
“Kurban Bajrami është shembull i besimit e adhurimit tonë ndaj Zotit të Madhëruar, shembull i sakrificës dhe respektit. Kjo festë na fton të falënderojmë Allahun për mirësitë e shumta që na i dhuron”, thuhet tutje në urim.
Postimi plotë;
TELEGRAM URIMI, ME RASTIN E KURBAN BAJRAMIT, NGA KRYETARI ZAIM BAFTIU.
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit.
Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra!
Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan dhe Imamëve tanë të nderuar të 32 Xhamive të Komunës sonë, iu urojmë festën e Kurban Bajramit, këtë festë të bekuar dhe me vlera e rëndësi të veçantë.
Kurban Bajrami është shembull i besimit e adhurimit tonë ndaj Zotit të Madhëruar, shembull i sakrificës dhe respektit. Kjo festë na fton të falënderojmë Allahun për mirësitë e shumta që na i dhuron.
“Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira, andaj, ti falu dhe prej kurban për hirë të Zotit tënd” (Kevther 1-2)
Therja e Kurbanit, punët e mira, solidariteti me të varfërit, kujdesi për jetimët, mëshira ndaj njerëzve, largimi nga e keqja, urrejtja dhe padrejtësia, janë mesazh i qartë i kësaj feste.
Besimtarë të nderuar!
Në këtë festë kur vendi ynë po përballet me pandeminë COVID 19, ju ftojmë që të respektoni të gjitha masat dhe rekomandimet nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, dhe Institucionet tona, në mënyrë që të ruajmë veten, familjen dhe shoqërinë tonë.
Allahu i madhëruar i shpërbleftë të gjithë Punëtorët shëndetësor që janë në front me pandeminë, dhe të gjithë kontribuuesit që nuk kursejnë mundin e tyre për të mirën e shoqërisë, Zoti i nderoftë.
Lutemi që në këtë ditë të bekuar, Zoti të na dhuroj paqë, mëshirë, solidaritet e tolerancë në popullin tonë.
Në këto ditë festive ndiejmë mungesën e bashkatdhetarëve tanë, por, ata janë në zemrat dhe lutjet tona. Fizikisht nuk jemi afër, por shpirtërisht bashkatdhetarët janë begatia e familjes dhe shoqërisë sonë, lutemi që Zoti të i ruaj.
Vëllezër e motra!
Ky Islam na porosit që të jemi produktiv në këtë vend. Mësimet e Muhamedit a.s japin mesazh që: “ Njeriu më i mirë dhe më i dashur tek Zoti është ai i cili është më i dobishëm për shoqërinë”
Urime e gëzuar Kurban Bajramin, Allahu ju dhuroftë begati, lumturi, e gëzim në familjet tuaja.
Kryetari: Zaim Baftiu



