PDK-ja, Dega e Lipjanit, e ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme të KK-së, për shkak të gjendjes aktuale në arsimin e kësaj komune, shkruan sot Koha Ditore.
PDK-ja pretendon se ka argumente dhe fakte të mjaftueshme për shkelje të mëdha ligjore që kanë ndodhur sivjet me rastin e pranimit të kuadrit arsimor. Ky subjekt siguron opinionin se ka shumë raste shkeljesh ligjore që do t’i dëshmojë në seancën e jashtëzakonshme.
Lulzim Rrustemi, nënkryetar i PDK-së, Dega në Lipjan, ka deklaruar me këtë rast se ftesa për një seancë të tillë ka dalë për shkak të kërkesave të mëdha të mësimdhënësve dhe personelit arsimor dhe për shkak të ankesave të mëdha dhe shkeljeve ligjore. Për më tepër, kërkesën për thirrje të seancës së jashtëzakonshme e kanë nënshkruar 10 këshilltarët opozitarë të PDK-së dhe ai i PSD-së, Ramiz Qeriqi.
Ndërkohë që vetë kryesuesja e KK-së, Vlora Limani – Hajnuni, e ka konfirmuar të premten se të njëjtën ditë e ka pranuar kërkesën e PDK-së për një seancë të jashtëzakonshme. Përderisa ka thënë se ende nuk ka pasur kohë ta shqyrtonte atë, kryesuesja ka siguruar se do të sillet konform rregullativës ligjore që parashihet për këtë seancë dhe konform Statutit komunal. Nuk ka mundur të japë përgjigje nëse do të thirret seanca ose jo dhe kur mund të bëhet kjo.
Në Statutin komunal neni 28.5 thuhet se pos mbledhjeve të rregullta KK-ja mund të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme, por që kjo duhet të bëhet në pajtim me dispozitat e nenit 44 të ligjit, por që nuk precizohet se për cilin ligj bëhet fjalë.



