Ndonëse janë bërë shumë thirrje për ndalim përdorimi të armëve nëpër dasma, ato nuk po ndalen. Dasmorëve madje nuk po u bënë tashmë përshtypje as prania e Policisë, saqë në një rast kanë shtënë edhe para syve të tyre.
Kështu tregon raporti i Policisë, i cili përpos kësaj tregon edhe për dy raste të tjera që kanë të bëjnë me të shtënat me armë në dasma.
Rasti i parë ka ndodhur në rrugën Agron Rama në Obiliq, ku gjatë një ahengu familjar, një qytetar ka shtënë me armë zjarri në ajër në prezencë të policisë.
Policia pas kësaj nga i dyshuari ka konfiskuar një pushkë gjuetie me dy gëzhoja të kalibrit 12mm. I dyshuari, sipas raportit të Policisë, pas intervistës me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti i dytë me të shtëna me armë në dasma është shënuar në fshatin Barilevë dhe të njëjtit Policia i ka konfiskuar një revole me gaz e tipit BLOW me tri gëzhoja të kalibrit 9mm. Edhe ky i dyshuar pas intervistës me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.
E, rasti i tretë ka ndodhur në fshatin Halabak të Podujevës. I dyshuari nga Policia është arrestuar, ndërsa nga ai është konfiskuar arma e llojit pistoletë me gas e cila është përdorur ne rast, dhe janë konfiskuar 26 fishekë 9mm dhe shtatë gëzhoja të të njëjtit kalibër. Po ashtu, sipas raportit të Policisë, i dyshuari me vendim te prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/



