Solskjaer lavdëron Pogban dhe Brunon: Ata krijojnë raste nga asgjëja

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka theksuar rëndësinë e dy mesfushorëve, Bruno Fernandesit dhe Paul Pogbas, në skuadrën e Djajve të Kuq, duke thënë se është kënaqësi për çdo sulmues të luajë me ata të dy sepse arrijnë të krijojnë raste për të shënuar nga asgjëja.

Që kur ka rinisur sezoni 2019/20 pas pauzës tremujore shkaku i koronavirusit, Djajtë e Kuq i kanë shënuar gjashtë gola në tri ndeshje dhe tani kanë kaluar 11 ndeshje që nga hera e fundit kur djemtë e Solskjaer dështuan të shënojnë gol, transmeton Gazeta Express.

Para pauzës, transferimi i Fernandes nga Portugalia ia kishte dhënë një shtyrje të madhe sulmit të Manchester Unitedit, ndërsa tani kësaj i është shtuar edhe kthimi i Pogbas, i cili ka vuajtur nga një lëndim në kyçin e këmbës këtë sezon.

Dyshja ishte titullare për herë të parë në fitoren me rezultat 3:0 kundër Sheffield Unitedit, ndërsa Anthony Martial përfitoi më së shumti nga bashkëpunimi i Pogbas dhe Brunos në mesfushë pasi që arriti të shënojë het-trik.

Solskjaer i lavdëroi dy futbollistët për kreativitetin e tyre në mesfushë, duke thënë se aftësia e atyre dyve u ndihmon shumë lojtarëve në repartin e sulmit.

“Sulmuesit e dinë se kanë prapa vetes lojtarë që mund të krijojnë diçka nga asgjëja. Bruno mund të krijojë raste kur nuk ka hapësira. Ai ka qenë shumë i mirë edhe kur e ka pasur shpinën e kthyer nga sulmi, me pasimet e tij”, ka thënë Solskjaer.

“Paulo krijon raste të tilla gjithashtu. Ata janë dy lojtarë kreativë që mund të bëjnë pasime të mirë dhe janë lojtarë me cilësi individuale. Të jesh qendërsulmues para atyre dyve është një kënaqësi”.

“Edhe unë vetë kam provuar diçka të tillë, duke luajtur me Paul Scholes, Juan Sebastian Veron, David Beckham, Ryan Giggs… është një pozitë e këndshme për ta pasur”. /Gazeta Express/