Pas edhe një paraqitjeje tjetër zhgënjyese, trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se Alexis Sanchezi duhet ta gjejë vetë formën e tij të mirë.
Sanchezi u aktivizua në fund të pjesës së parë të ndeshjes së mbrëmshme kundër Paris Saint-Germainit, kur e zëvendësoi Jesse Lingardin e lënduar, vetëm disa sekonda para se të përfundonte pjesa e parë, transmeton Gazeta Express.
Ai nuk arriti t’i ndihmojë aspak skuadrës së tij në pjesën e dytë dhe Manchester Unitedi e pësoi disfatën e parë nën drejtimin e Solskjaerit. Për shkak se kiliani është lojtari me pagën më të lartë në skuadrën e “Djajve të kuq”, e ardhmja e tij në klub nuk është aspak e sigurt.
“Unë nuk mund të bëj asgjë për Alexisin. Ai duhet ta gjejë veten pasi që ne e dimë se brenda tij është një lojtar me shumë aftësi”, ka thënë Solskjaer, kur u pyet për Sanchezin, i cili i ka shënuar pesë gola që nga transferimi në Mançester.
Sanchez erdhi në Old Trafford si pjesë e një marrëveshje shkëmbimi me Henrikh Mkhitaryan, që Manchester Unitedi e kishte arritur me Arsenalin, në janar të vitit 2018.
Manchester Unitedi do të ketë nevojë që Sanchezi të kthehet në formën e mirë që e kishte treguar në Arsenal, pasi që Jesse Lingard dhe Anthony Martial mbetën të lënduar dje dhe ende nuk dihet se sa do të mungojnë këta të dy. /Gazeta Express/


