Ndalja e ekipit të Crvena Zvezdës në Jarinë nga Policia e Kosovës këtë të mërkurë bëri jehonë të madhe në Kosovë, mirëpo Bylbyl Sokoli tha Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka të drejtë t’ia ndalojë klubeve serbe zhvillimin e ndeshjeve në Kosovë.
Të ftuar në emisionin e sportit në T7, “Favorit”, sonte ishin dy trajnerët e njohur, Bylbyl Sokoli dhe Arbnor Morina, për të diskutuar për ndeshjet e tetorit të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për ndalimin e Crvena Zvezdës, shkruan Gazeta Express.
Të mërkurën ishte planifikuar të zhvillohet ndeshja mes klubit serb nga Kosovës, Trepçës, dhe Crvena Zvezdës, në territorin kosovar, në kuadër të Kupës së Serbisë.
Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se nuk do ta lejonte një ndeshje të tillë pasi që ajo është kundër statuteve të FFK-së, e cila insiston se është i vetmi autoritet që ka të drejtë të organizojë ndeshje zyrtare futbolli brenda territorit të Kosovës.
Pasi Policia s’e lejoi Zvezdën të hyjë në Kosovë, duke e ndalur në Jarinë, liderët e klubit dhe politikanët e Serbisë u ankuan se Kosova po e përzien politikën me sportit dhe kërkuan që FFK-ja të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA.
Përderisa Sokoli thotë se ishte mirë që organet e rendit nuk e lejuan Zvezdën të hyjë në Kosovë për shkaq sigurie, ai insiston se FFK-ja s’ka të drejtë ta ndalojë asnjë klub të zhvillojë ndeshje.
“Nuk vendos Federata e duhet të zhvillojë dikush ndeshje… ata [klubet] duhet të jenë pjesë e Federatës në mënyrë që Federata të vendosë për ndeshjet e tyre. Ata nuk janë anëtarë të Federatës, për këtë kanë përgjegjësi organet e rendit, të cilët vendosin se a ka rrezik nga një ndeshje”, tha Sokoli në “Favorit”.
“UEFA dhe FIFA e promovojnë sloganin “Futbolli për të gjithë”. Kërkesa e Federatës që të ndërprehet apo të mos zhvillohet një ndeshje nuk duhet të shkojë fare në FIFA dhe UEFA sepse bie ndesh me parimin që futbolli është jashtë politikës”.
“Këtu duhet të veprohet me reciprocitet. Kosova duhet t’i trajtojë klubet dhe sportistët e Serbisë ashtu siç i trajton Serbia sportistët kosovarë. Kur Serbia i ndal sportistët nga Kosova, s’mund të kërkojë që sportistët e vet të hyjnë në Kosovë”.
Ndeshja mes Trepçës dhe Crvena Zvezdës u zhvillua të enjten në Stara Pazova të Serbisë, ku Zvezda shënoi fitore bindëse me rezultat 8:0. /Gazeta Express/


