Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ka zhvilluar një operacion hetimor lidhur me një rast të dyshuar të përgatitjes së veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Operacioni është realizuar gjatë ditës së shtunë, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, me urdhër të të cilit janë ndaluar dy persona të dyshuar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Përgatitja e veprës penale të vrasjes e rëndë”, si dhe veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, transmeton IndeksOnline.
Në kuadër të këtij operacioni, janë realizuar kontrolle dhe bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të lokalizimit të personave të dyshuar, sigurimit të provave materiale dhe ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.
Ndërkohë sot, me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar edhe një person tjetër për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Përgatitja e veprës penale të vrasjes së rëndë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Bëhet e ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar armë dhe municion, përkatësisht një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë të gjetur në automjetin e dyshuar, si dhe një armë të shkurtër të llojit TT me shtatë fishekë, e gjetur në shtëpinë e njërit prej personave të dyshuar.


