Pasi i dolën në “shesh” 1-shat, presidentes se Republikës, Atifete Jahjaga, në rrjetet sociale ka filluar dyndje e vërtetë e atyre që i mbrojnë 1-shat e saj dhe atyre që e mbrojnë atë bashkë me 1-shat e saj në shkollë.
Si rrallë herë deri me tash në mandatin e saj 5 vjeçarë, presidentja Jahjaga sot mund të jetë e lumtur me faktin se opozita i ka dalë në krah.
“Presidentja e zarfit” siç e ka cilësuar opozita në vazhdimësi Jahjagën sot kanë tentuar të jenë pranë saj të paktën me postime mbështetëse në rrjetet sociale, transmeton Indeksonline.
Fillimisht ka qenë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili i ka dalë në mbrojtje të pares së vendit.
Ai ka thënë se publikimi i notave të Jahjagës bëhet me qëllim për ta favorizuar Hashim Thaçin për President.
“Është e qartë që në kohën kur Thaçit edhe nga qarqet ndërkombëtare po i bëhet me dije që nuk e ka përkrahjen për president, duhet të sulmohet kandidatja e bashkësisë ndërkombëtare (imazhi) dhe këtë me publikimin e ditarve të gjimnazit”, ka shkruar Ahmeti, në një postim në Facebook.
E së fundi ka qenë zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ai i cili përmes një postimi në Facebook ka kërkuar që të zbulohet se kah “pikën” 1-shat e presidentes.
Ky është postimi i plotë i Nitajt në Facebook:
Kush qëndron prapa “nishave” të Presidentes
A pati një kërkesë për qasje në dokumentin zyrtar (ditarin e notave) të Presidentes? Nëse po, kush e bëri dhe kush e dha lejen?
Nëse jo, kush e nxorri ditarin jasht, me çfarë qëllimi dhe me urdhër të kujt!?
A ka drejtor ajo shkollë dhe kush është ai dhe pse nuk po flet?
Mediat e bëjnë punën e tyre, (hallall u qoftë) por në raste të tilla duhet të ketë një kërkesë për qasje në dokumentet zyrtare, dhe një leje për këtë.
Nëse nuk është respektuar kjo procedurë, ose edhe më keq nëse kjo është pjesë e një lufte politike, drejtori i “shkollës së Presidentes, duhet të ikë nga detyra!
Atifete Jahjaga plotë me njësha e kishte të mbushur ditarin e Gjimnazit. Në kulmin e të arriturave të saj politike, tani më së paku ajo do të dëshironte ta shihte ditarin e Gjimnazit ‘Sami Frashëri’ në periudhën 1989-1990, ku suksesi i saj në shkollë, e sidomos në gjysmë vjetorin e parë, ishte shumë i dobët. /Indeksonline/


