Me moton “ Të gjithë për një ambient të pastërt”, dje, më 10.10.2016, është realizuar aksioni për pastrimin e tërësishëm të fshatit nga mbeturinat dhe deponitë e krijuara në lokacionet, në rrugën “ Shtegu i UÇK-së “ dhe lokacionin e njohur me emrin “ Agraxha “, në fshatit Godanc i Epërm.
Drejtoria për Shërbime Publike aksionin e ka organizuar në bashkëpunim me qytetarët e fshatit dhe me Ndërmarrjen Publike Rajonale ( NPR )” Pastërtia”-Njësia në Shtime.
Sipas drejtoreshës së Drejtorisë për Shërbime Publike ( DSHP ), znj Ardiana Rama Gashi, aksionit i është përgjigjur një numër i madh i qytetarëve të fshatit Godanc i Epërm, çka do të thotë se ka filluar vetëdijësimi i qytetarëve për përkujdesje të ambientit që i rrethon.
Aksioni ka zgjatur tërë ditën dhe përveç qytetarëve kontribut të madh ka dhënë NPR “ Pastërtia “, me pajisje dhe punëtorë, e cila edhe ka bërë bartjen e mbeturinave të grumbulluara.
Drejtoresha , znj. Ardiana Rama Gashi, pas pastrimit të fshatit, ka apeluar te qytetarët që të përkujdesen tani e tutje për ambientin ku jetojnë duke bashkëpunuar me NPR “ Pastërtia “, për kontraktimin e shërbimeve të pastrimit nga të gjithë qytetarët e fshatit.
Ajo përcolli edhe mesazhin se tani e tutje, qytetarët e pandërgjegjshëm, që ndotin ambientin dhe që krijojnë deponi në vendbanime dhe jasht tyre, do të ndëshkohen nga ana e inspektorëve komunalë.


