Banorët e Sanxhakut në Serbi, edhe pse kanë kaluar përgjatë historisë në pushtime të shumta, dhunë, presione e kërcënime të ndryshme, kanë mundur edhe sot të mbajnë një pjesë të identitetit të tyre…
Për ta flitet pak ose aspak e megjithatë, shqiptaret e kësaj zone, janë ende aty edhe pse të deklaruar më së shumti boshnjakë.
Edhe pse në presion të vazhdueshëm të gjendur në një situatë izolimi të plotë, banorët e këtushëm kanë mundur ta ruajnë gjuhën shqipe, sigurisht duke e kaluar brez pas brezi, sepse për shkollë shqipe këtu nuk bëhet fjalë.
Të jesh shqiptar këtu nuk është e thjeshtë. Përkundrazi, këtu shqiptarët janë komuniteti që gëzon më pak të drejta me pak mundësi. Për më tepër këto të drejta nuk mund t’i kërkojnë ose më mirë nuk kanë ku t’i kërkojnë…
Të moshuarit vazhdojnë të ruajnë shqipen, ndërsa për të rinjtë gjërat janë më të vështira.
Jo larg këtyre fshatrave shtrihet edhe Stari Ras, vendi ku serbët pretendojnë se janë hedhur themelet e shtetit të parë të tyre. Por, ndryshe flasin faktet pasi sipas studiuesve, rrënojat e mbetura i përkasin një qyteti ilir që ngrihej këtu shekuj para se sllavët të dyndeshin në Ballkan… /Top Channel/


