Pjesëmarrja e Shqipërisë për herë të parë në histori të saj në një evropian, padyshim ishte arritja më e madhe e futbollit shqiptar. Për të mos u ndalur me kaq, skuadra kuqezi e zi edhe në ndeshjet e grupit arriti të tregojë lojë mjaft cilësore, ani pse nuk arriti që të rrëmbejë rezultat pozitiv në dy ndeshjet e zhvilluar.
Loja e matur, angazhimi i pashoq i futbollistëve në fushë, si dhe përkrahja e madhe e treguar nga tifozët ishin vetëm disa nga pikat pozitive që e karakterizuan Shqipërinë në këtë evropian. Padyshim, ndeshja e fundit në grup kundër Rumanisë do të jetë mjaft e rëndësishme për skuadrën e Giani de Biasit. Nga ky takim varet nëse ekipi kuqezi do të ecë tutje.
Angazhimin, rezultatet dhe paraqitjen e Shqipërisë në këtë evropian e kanë komentuar edhe trajnerë, futbollistë dhe njohës të futbollit kosovar. Ja çfarë fjalë kanë ata për Kombëtaren kuqezi. Trajneri i skuadrës së Feronikelit, Afrim Tovërlani thotë se Shqipëria do ta ketë mjaft vështirë ndaj rumunëve, pasi që edhe këta të fundit kërkojnë fitore. Gjithsesi ai shpreson se kësaj radhe fati do të jetë me Shqipërinë.
“Rumania është sipas meje është mjaft e fortë dhe kuptohet që edhe ata do ta kërkojnë fitoren për t’u kualifikuar si e treta. Shpresoj të kemi kësaj here fat dhe ta fitojmë ndeshjen për të shpresuar në kualifikim tutje. Duhet pranuar se do të jetë shumë vështirë sidomos për faktin se fitorja na duhet patjetër”, deklaroi për Teleskopi.net. trajneri i ‘Niklit’.
Në anën tjetër ish-futbollisti dhe legjenda e skuadrës së Besës së Pejës, Haxhi Zeka, pranon që ka qenë i befasuar me paraqitjet e Shqipërisë në këtë evropian. Ai shprehet optimist që ekipi kuqezi do të vazhdojë tutje.
“Shqipëria ka treguar lojë shumë të mira në këtë evropian, por skuadrës kuqezi po i mungon fati. Ndeshja ndaj rumunëve do të jetë një sfidë shumë e fortë, por besoj që më një angazhim që e kanë treguar futbollistët deri më tani mund të ecin tutje. Kemi treguar se jemi një kombëtare e fuqishme, mëkat ishte që nuk e fituan ndeshjen me Francë, sepse ishin shumë të mirë në fushë. Mendoj që dobësia më e madhe te Shqipëria është faza e sulmit. Ende nuk kemi një sulmues tipik, i cili do ta vendoste lojën e do t’i rrezikonte seriozisht portat kundërshtare”, është shprehur Zeka.
Edhe portieri i Trepçës, Enis Manxholli, thotë se Shqipëria duhet ta fitojë ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë, ani pse thotë se kjo do të jetë një sfidë e vështirë.
“Nëse arrin Shqipëria të shënojë gol e para, mendoj që do ta fitojë ndeshjen me lehtë, thjesht do ta kenë më lehtë edhe ne anën psikologjike që ta kontrollojnë lojën. Edhe nëse nuk arrin të fitojë kundër Rumanisë nuk është tragjike, Shqipëria po luan mjaft mirë taktikisht dhe janë prezantuar shumë mirë në këto dy ndeshje”, përfundoi gardiani i Trepçës.
Shqipëria ka humbur dy ndeshjet e para të grupit A, kundër Zvicrës dhe Francës, andaj ndeshja e nesërme kundër Rumanisë është vendimtare rreth një kualifikimi të mundshëm historik të kuqezinjve në kampionatin evropian.



