Shërbimi ushtarak në Kosovë – vullnetar apo i detyrueshëm? Flet ministri Maqedonci

PUBLIKUAR

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Kosova nuk do të aplikojë shërbim të detyrueshëm ushtarak, por do të zhvillojë modelin e shërbimit vullnetar në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse parasheh përfshirjen e qytetarëve në mënyrë vullnetare, duke rritur kapacitetet rezervë të vendit.

“Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë që të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, deklaroi Maqedonci

Ai sqaroi se kjo nuk nënkupton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në të ardhmen.

“Bëhet fjalë për shërbim vullnetar, jo të detyruar”, deklaroi ministri.

Sipas tij, ideja është që Kosova të ndërtojë një sistem rezervë që mund të aktivizohet në rast nevoje, duke u bazuar në praktika të vendeve të NATO-s.

“Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse nënkupton që të kemi kapacitete shtesë përveç personelit aktiv, në mënyrë që në rast nevoje të kemi qytetarë të trajnuar që mund të angazhohen”, u shpreh ai.

Maqedonci shtoi se FSK-ja aktualisht ka kapacitete materiale që e mbështesin këtë koncept.

“Ne sot kemi katërfish më shumë pushkë individuale sesa personel aktiv”, tha ai, duke nënvizuar se kjo është pjesë e planifikimit për mbrojtjen gjithëpërfshirëse.

Ministri theksoi se përfshirja e qytetarëve do të jetë e rregulluar me ligj dhe do të shoqërohet me trajnim të duhur.

“Qëllimi nuk është militarizimi i shoqërisë, por rritja e gatishmërisë dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e vendit”, deklaroi ai.

Sipas Maqedoncit, FSK mbetet një forcë profesionale dhe standardet e saj janë të harmonizuara me praktikat e NATO-s, ndërsa modeli i rezervave do të shërbejë si shtesë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës./Telegrafi

SHIKO MË SHUMË

Policia paralajmëron qytetarët: Kujdes nga SMS-të mashtruese për gjoja gjoba trafiku

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve...

Aksident mes tri veturave në rrugën Pejë–Rugovë, një person përfundon në spital

Sot rreth orës 13:00 është raportuar një aksident trafiku në rrugën Pejë–Rugovë, në kilometrin...

Mbi 405 mijë përfitues të shtesave për fëmijë, ASK publikon statistikat e mirëqenies sociale për majin

Shtesat për fëmijë vazhdojnë të jenë skema sociale me numrin më të madh të...