Mesfushori i Romës, Javier Pastore, e pranon se kampionati italian Serie A është shumë më i vështirë se Ligë 1, pas rikthimit të Romës ndaj Atalantës nga 1-3 në 3-3 të hënën në “Olympico”.
Ish-asi i Paris Saint-Germainit e hapi serinë e golave me një gol të jashtëzakonshëm me thembër pas vetëm 90 sekondave lojë. Megjithatë, skuadra e tij i pranoi tri gola rresht, para se të luftonte fort për ta barazuar rezultatin në 3-3, transmeton Gazeta Express.
“Ishte gol i mirë, Cengiz Under më dha një pasim të mençur dhe realizimi shkoi mirë. Fatmirësisht ishim në gjendje ta barazonim rezultatin në fund”, tha Pastore.
I pyetur për pozitën në fushë, argjentinasi ka thënë se i takon trajnerit të vendosë.
Ai e ka përshkruar si shumë të vështirë ligën elitare italiane.
“Natyrisht është shumë më vështirë në Serie A se në Ligë 1, dy ndeshjet e para kanë qenë mundim i madh”, shtoi ai. /Gazeta Express/


