Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka folur përsëri për të ardhmen e luhatshme të yllit të skuadrës së tij, Eden Hazardin, duke këmbëngulur se ai duhet të zgjedhë çfarë dëshiron të bëjë.
Sarri nuk ka ngurruar t’iu përgjigjet pyetjeve për të ardhmen e futbollistit më të mirë në skuadrën e tij, belgut Eden Hazard, për të cilin flitet vazhdimisht se do t’i bashkohet Real Madridit, transmeton Gazeta Express.
Ai ka thënë se 28-vjeçari duhet të largohet nëse e dëshiron këtë, edhe pse ai e pret të kundërtën të ndodhë.
“Eden është 28-vjeç. Nëse dëshiron të shkojë, mendoj se duhet të shkojë, natyrisht. Unë pres që të ndodhë e kundërta, se ai dëshiron të qëndrojë këtu. Ai ka potencial për t’u bërë lojtari më i mirë në Evropë për momentin”, tha Sarri.
Hazardi ka kontratë me Chelsean deri më 2020, por ende nuk ka arritur marrëveshje me të kaltrit për ta ripërtërirë atë. në moshën 28-vjeçare, ai është në kulmin e karrierës së tij. Dhe pas një Kupe të Botës brilante me Belgjikën, ky është momenti më i përkryer për të për ta bërë një hap para në karrierën e tij, duke nënshkruar me gjigantin spanjoll.
Vetë Hazardi e ka bërë të qartë dëshirën e tij të madhe për të luajtur për Los Blancos një ditë.
Real Madridi dëshiron të bëjë revolucion në skuadër sezonin e ardhshëm, duke sjellë futbollistë të mëdhenj, në mesin e tyre edhe Hazardin. Përforcimi i sulmit është ndër prioritetet, sidomos pas largimit të Cristiano Ronaldos. /Gazeta Express/


