Roberto Carlos thotë se nuk do të ketë më si Ronaldo, duke këmbëngulur se madje as Lionel Messi e Cristiano Ronaldo nuk mund të krahasohen me ish-bashkëlojtarin e vet në ekipin kombëtar të Brazilit.
Ronaldo doli në skenën e futbollit botëror bujshëm duke lënë mbresa të mëdha gjatë sezonit 1996/97 me Barcelonën, por karriera e tij hasi në pengesa të mëdha shumë shpejt, për shkak të lëndimeve të rënda në gju, transmeton Gazeta Express.
Por ai u kthye në formë ideale përsëri, tamam në kohë për ta udhëhequr Brazilin drejt fitimit të Kupës së Botës më 2002.
Pas paraqitjeve heroike në Japoni dhe Korenë e Jugut, Real Madridi e bleu Ronaldon nga Interi.
Ronaldo i kaloi pesë në Santiago Bernabeu përkrah Carlosit, i cili thotë se bashkatdhetari i vet ishte talenti më i jashtëzakonshëm në grupin e superyjeve që njiheshin si “Galaktikët”.
“Ronaldo veçohej në stërvitje. Ai ishte më i miri. Nuk do të ketë një fenomen Ronaldo më në botën e futbollit. As Neymar, as Cristiano e as Messi, sepse Ronaldo ishte i veçantë”, tha Carlos për Goal.
“Mendoj se në gjeneratën tonë ka qenë më e vështirë të shënosh gola. Futbolli ishte më fizik atëherë dhe sulmuesit mbroheshin më pak. Por Ronaldo ishte në gjendje të bënte gjithçka”, shtoi ai.
“Unë e dija sa i mrekullishëm ishte Ronaldo kur erdhi, por shumë njerëz në Madrid nuk e dinin. Ai i mahniti shumë njerëz. E mbaj në mend që 80 mijë njerëz ishin shumë të lumtur dhe të habitur nga ai”, theksoi Carlos. /Gazeta Express/


