Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për rinumërimin e 51 vendvotimeve, ku 38 vendvotime do të rinumërohen vetëm për kandidatët përbrenda të njëjtit subjektit politik, kurse, 13 të tjera do të rinumërohen për të gjitha fletëvotimet brenda kutisë së votimit.
Betim Gjoshi, anëtar i KQZ nga PDK-ja, ka thënë se ky urdhër është dhënë konform vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndërsa, rinumërimi pritet të filloj sot në ora 11:00 dhe të përfundoj brenda kësaj dite.
“Vendimi i PZAP, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa siç jeni të njoftuar, ka marrë vendim për rinumërim në 51 vendvotime 38 nga to numërohen vetëm votat kandidatëve të një subjekti politik, ndërsa, 13 numërohen në tërësi fletëvotimet e këtyre vendvotimeve”, ka thënë Gjoshi.
Florian Dushi, anëtar i KQZ nga LDK-ja, ka thënë se rinumërimi i këtyre vendvotimeve mund të këtë ndryshim minimal. Megjithatë, ka kërkuar nga QNR t’i njoftoj vëzhguesit e subjekteve politike për këtë proces.
“Edhe pse nga përvoja të cilën ne e kemi qoftë për nga numri i vendvotimeve të që është kërkuar të rinumërohen, apo edhe nga rasti i kandidatëve apo subjekteve politike, dimë që ndryshimi mund të jetë krejtësisht minimal. Megjithatë, unë kërkoj që Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve t’i njoftoj vëzhguesit e subjekte politike që ato të kenë mundësi edhe këtë proces ta vëzhgojnë sikurse edhe proceset e mëparshme”, ka shtuar Dushi.
Kurse, EnisHalimi, kryeshef i QNR-së, ka thënë se lidhur me këtë rast është bërë informimi me kohë i vëzhguesve dhe beson se brenda ditës së sotme do ta përfundojnë ky proces.
“E dimë se secila kuti është rast në veti por besojmë se në një kohë optimale brenda ditës së sotme do të arrijmë që edhe këtë proces ta përfundojmë”, ka thënë Halimi.
KQZ, gjithashtu ka pranuar kërkesën e kandidates për deputete Vlora Çitaku, p ër heqjen dorë nga mandati i deputetes. Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, Çitaku do të zëvendësohet me kandidaten e radhës.