Opinioni sportiv në Kosovë ka shpërthyer pas deklaratës së fundit të zyrtarit të LDK-së Lumir Abdixhikut, i cili deklaroi se stadiumi kombëtar i Kosovës do të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës e jo në Drenas. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, njohës të futbollit e tifozë flasin për këtë çështje për gazetën “Zëri”.
Ejup Llumnica
Deklarata e zyrtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhikut se dy partitë që pritet ta udhëheqin pushtetin pas zgjedhjeve të 2019-s, LVV – LDK, kanë vendosur që stadiumi kombëtar i futbollit, i cili ishte paraparë të ndërtohet në Drenas, do të ndërrojë lokacion dhe do të rikthehet të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinë, aty ku ishte paraparë më herët kur në pushtet ishte LDK-ja, ka hapur sërish debat në Kosovë. “Gjatë bisedave kemi vendosur që stadiumi i Kosovës të ndërtohet në Bërnicë dhe jo në Drenas”, ka thënë Abdixhiku në një emision televiziv, deklaratë kjo që ka ngjallur debat të madh në opinion.
Kujtojmë se në qershor të këtij viti është prezantuar projekti i stadiumit që pritej që do të ndërtohej në Koreticë të Drenasit, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Për komunitetin sportiv stadiumi është i domosdoshëm, gjithmonë duke e parë interesimin e jashtëzakonshëm të tifozëve për ta ndjekur Kosovën dhe për ta nuk ka shumë rëndësi ku ndërtohet, derisa analistët po mendojnë se stadiumi kombëtar, që ende nuk ka asnjë sinjal të nisjes së punimeve, po shfrytëzohet më shumë për poenë politikë, pasi ende nuk ka asnjë lëvizje serioze të realizimit të tij.


