Franck Ribery mund të jetë larguar nga Bayern Munichu, por ai është ende shumë i zëshëm për punën që duhet ta bëjë klubi gjerman gjatë këtij afati kalimtar të verës.
36-vjeçari është ende pa klub për momentin, por ai e ka paralajmëruar ish-klubin e tij, Bayern Munichun, se duhet të shpenzojnë shumë para këtë verë nëse dëshirojnë të përmirësohen, transmeton Gazeta Express.
Ish-ylli i Bayern Munichut e komentoi edhe mundësinë e transferimit të Leroy Sanes te kampioni gjerman. Ky spekulim është përfolur shumë qysh para se të fillonte afati kalimtar, pasi që ylli i Manchester Cityt shihet si zëvendësues i mundshëm për Riberyn dhe Arjen Robbenin, i cili gjithashtu u largua nga klubi këtë verë.
“Sane do të ishte një lojtar që do ta çonte përpara Bayernin. Ai është i aftë, mund të luajë në krahun e djathtë dhe atë të majtë dhe unë jam kurioz ta shoh nëse atij i pëlqen Bundesliga dhe e zgjedh Munichun.
Komentet e tij duket se vijnë me qëllim për të shtuar presion publik mbi klubin, pasi që drejtuesit e Bayernit kishin bërë të ditur se do të shpenzojnë shumë para këtë verë, megjithatë deri më tani s’kanë qenë shumë aktiv.
“Bayernit i duhet kualitet, duhet të investojnë dhe të përmirësohen! Unë po e ndjek me shumë kënaqësi punën që janë duke e bërë ata”, shtoi francezi në një intervistë për të përditshmen gjermane, Bild. /Gazeta Express.


