Drejtori sportiv i Lyonit, Juninho, ka thënë se Barcelona nuk e ka bërë asnjë ofertë zyrtare për Memphis Depay, e ardhmja e të cilit në klubin francez mbetet e paqartë.
Depay është synim i Barçës, pas emërimit të ish-trajnerit të Holandës, Ronald Koeman, në stolin e katalonasve, transmeton Gazeta Express.
Përveç gjigantit spanjoll, interesim për holandezin ka shfaqur edhe Roma në Serie A.
Ish-sulmuesi i Manchester United ka kontratë me Lyonin vetëm deri në verën e vitit 2021.
Duke folur për të ardhmen e Depay, Juninho tha: “Ne nuk e kemi marrë asnjë ofertë zyrtare nga Barça”.
“Para lëndimit serioz, Memphis e mori një ofertë nga presidenti (Jean-Michel) Aulas për ta zgjatur kontratën me ne, por kërkoi kohë për të menduar. Nëse na vjen ndonjë ofertë, do të mendojmë”, shtoi ai.


