Komuna e Lipjanit ka reaguar duhet thënë se ekzekutivit dhe punët e mira që janë kryer në dobi të qytetarëve të komunës së Lipjanit, ndërsa Lëvizja Vetvendosje kishte thënë se Kyetari Ahmeti kishte 20 tenderë të orkestruar.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Komunës së Lipjnit.
Komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje – Dega në Lipjan e datës 28.02.2014 e cila u transmetua në mediet e shkruara dhe elektronike është tërësisht tendencioze dhe me motive të ulëta politike.
Sukseset e arritura të ekzekutivit dhe punët e mira që janë kryer në dobi të qytetarëve të komunës së Lipjanit, si duket po i pengojnë Lëvizjes Vetëvendosje e cila po e dezinformon qytetarin me reagime të tilla.
Andaj, këtë sqarim e bëjmë për ta informuar publikun lipjanas dhe më gjerë, jo Vetëvendosjen, ose individ të tillë nga Vetëvendosje të cilët, shpifjet, rrenat dhe dezinformatat i kanë ushqime ditore.
Agjendën financiare dhe objektivat e ndërtuara me parametra buxhetor e ka aprovuar Asambleja Komunale me shumicën absolute të votave, pavarësisht abstenimit të përfaqësueses së vetme të VV-së që ka në Asamblenë komunale.
Qytetarët e Lipjanit tashmë e dinë që viti buxhetor 2014 ka qenë shumë i rëndë, ngase ka qenë një vit paszgjedhor në të cilin kemi trashëguar obligime të mëdha financiare dhe kontraktuale të krijuara nga menaxhmenti i mëparshëm i Komunës së Lipjanit, të cilat janë në vlerë prej 7,116.287.57 €.
Lëvizja Vetëvendosje për shkak të paditurisë dhe mungesës së njohurive për ta lexuar raportin e buxhetit i ka dezinformuar qytetarët e komunës sonë, kinse 20 tender janë të kurdisur dhe se gjoja janë lidhur kontrata për 20 operatorë në vlerat e parashikuara buxhetore.
Kjo është tërësisht e pavërtetë. Asnjë investim kapital i paraparë me buxhetin e vitit 2014 nuk ka kushtuar aq sa kanë qenë mjetet e parapara me buxhet. Përkundrazi, të gjitha kontratat për të gjitha investimet kapitale janë të lidhura në vlerat më të ulëta se sa ka qenë buxheti i aprovuar për projektet konkrete. Çdo mjet i mbetur nga cilido investim kapital pas lidhjes së kontratës është ridestinuar me vendim të Kuvendit Komunal dhe me pëlqim të MEF-it. Prandaj, pozicionet e tabelave të publikuara nga VV me zero -zero vlera duhet të shikohen edhe në tabelat e mëposhtme ku figuron bartja e mjeteve në projektet e reja. Fatkeqësia qëndron që adoleshentët financiar të VV-së të Lipjanit janë totalisht të paditur dhe tendencioz në komunikatën e tyre.
Gjatë vitit të kaluar nuk është lidhur asnjë kontratë pune me operatorë ekonomik pa zotimin paraprak të mjeteve.
Secili projekt ka qenë i lidhur nën planifikimin buxhetor dhe vetëm nga kontratat e lidhura për investime kapitale gjatë vitit 2014 janë kursyer 403,165.20 €, të cilat mjete janë destinuar për projekte të reja.
Shembull:
1. Asfaltimi i rrugëve brenda fshatit Gadime:
Planifikimi buxhetor : 170,000.00 €
Vlera e kontratës: 139,041.89 €
Mbetja nga projekti: 30,958.11 €
2. Afaltimi i rrugëve në qytetin e Lipjanit
Planifikimi buxhetor : 200,000.00€
Vlera e kontratës: 128,154.95 €
Mbetja nga projekti: 71,845.05 €
Nuk ka pasur asnjë tender të anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP).
Kjo komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan është dezinformat e kulluar dhe qëllimkeqe dhe nuk i shërben askujt as vetë anëtarëve të VV-së, përveç individëve tekst -shkrues të komunikatave të cilët nuk kanë asnjë njohuri profesionale e fatkeqësisht nuk janë as dashamir të mirëqenies së qytetarëve lipjanas.
Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Lipjanit dhe mediet që të lexojnë raportin e punës për vitin 2014 të Ekzekutivit lipjanas dhe aty mund të shihen shpenzimet buxhetore për të gjitha kategoritë.
Komuna e Lipjanit,
Zyra për Informim
03.03.2015
Më poshtë gjeni njoftimin që kishte bërë LVV-Lipjan
Lëvizja Vetëvendosje qendra në Lipjan përmes një njoftimi për media ka theksuar se raporti i punës për vitin 2014 i paraqitur nga Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, sikurse edhe ai i shpenzimeve vërtetojnë edhe njëherë vazhdimësinë e keqpërdorimeve e shpenzimeve enorme.
“Qeverisja aktuale, jo vetëm që nuk i ka përmbushur premtimet, por në shumë raste ka vazhduar projektet e planifikuara nga qeverisja e kaluar, bile edhe në ato raste kur Kryetari Imri Ahmeti gjatë fushatës parazgjedhore i ka denoncuar si projekte të dyshimta për korrupsion. Një prej rasteve është ai i rrugës më katër korsi, e cila jo vetëm që u vazhdua, por as nuk ndryshoi çmimi e as punëkryesi, duke ja mveshur kështu qytetarëve të paguajnë mbi tre milionë euro për këtë”, thuhet në njoftim.
Në raport flitet për zhvendosjen e tregut të gjelbër nga qendra në stacionin e autobusëve. Me këtë jo vetëm që Imri Ahmeti përgënjeshtron veten kur premtonte rifunksionalizimin e menjëhershëm të stacionit të autobusëve, por edhe po planifikon t’ua vështirësojë qytetarëve furnizimet nga tregu. Gjersa nuk bëhet e qartë se cili do të jetë ridestinimi i hapësirës së tregut aktual, apo do të shndërrohet në hapësirë për ndërtime të larta, duke e ngulfatur qytetin edhe ashtu të degraduar nga aspekti urbanisitik.
Ndërkaq, kur bëhet fjalë për arsimin, fshihen parregullsitë në procesin e pranimit të mësimdhënësve, për të cilat edhe Inspektorati regjional i arsimit ka dhënë një sërë vërejtjesh, duke ju kërkuar rishpalljen e konkursit për një numër të madh pozitash, punësimet politike, si dhe shfrytëzimin e procesit të punësimit për të blerë kundërshtarët politikë, përmes akomodimit të familjarëve të tyre, por edhe të vetë asambleistëve.
Po ashtu, raporti shpërfaq edhe disa çështje tjera teje shqetësuese si:
– Në pothuajse 20 tenderë, buxheti i planifikuar apo zotuar është identik me koston e projektit. Kjo nuk mund të shpjegohet ndryshe, veçse si pasojë e tenderëve të orkestruar paraprakisht;
– Për furnizim me karburante për automjete janë harxhuar 2.520.741 litra karburante për 210.768 kilometra që i bie se për çdo 100 km. janë shpenzuar rreth 11 litra;
– Mungon përkrahja e drejtpërdrejtë e bujqve, përderisa gjatë vitit të kaluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet kanë qenë mbi 100 mijë euro. Gjithashtu në regjistrimin e popullsisë janë punësuar vetëm familjarët e kabinetit të Kryetarit dhe anëtarët e LDK-së;
– Në sektorin e shëndetësisë pothuajse nuk është bërë asnjë investim, përderisa shërbimet shëndetësore pediatrike mungojnë tërësisht, duke detyruar kështu prindërit që të orientohen për të dërguar fëmijët e tyre nëpër ordinanca private.
Këto janë vetëm disa nga shkeljet dhe dështimet më të rënda të kësaj qeverisje, të cilat tregojnë rrugën që ka zgjedhur kjo strukturë, duke ndjekur tërësisht rrugën e trasuar nga qeverisja e kaluar dhe duke zhgënjyer pritjet e qytetarëve për ndryshime dhe shërbime më të mira ndaj tyre.