Ramiz Qeriqi thotë se gjatë kohës së luftës i ka raportuar Fatmir Limajt dhe jo Rexhep Selimit

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Moti sot: I vranët dhe me shi

Këtë të premte në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe...

KDI: Ligji i ri i Punës të rikthehet në agjendën legjislative

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi sot analizën “Ligji i ri i Punës: në...

(Përditësuar, ora 13:11)- Dëshmitari Ramiz Qeriqi tha se gjatë kohës së luftës kur ka shërbyer në Krojmir, i ka raportuar Fatmir Limajt dhe asnjëherë nuk i ka raportuar Rexhep Selimit.

Ndërsa, rreth asaj se kujt i ka raportuar Fatmir Limaj, dëshmitari tha se nuk ka njohuri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë nga ajo ditë që kam shkuar në Krojmir që kam shku me Fatmir Limajn, unë i kam raportuar Fatimir Limaj… Detyrat i kam marrë nga Fatmir Limaj. Unë i kam raportuar Fatmir Limaj, kujt i ka raportuar ai, unë nuk e di”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Qeriqi pohoi se nuk e ka ditur asnjëherë se kush ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ndonëse ishte takuar me Rexhep Selimin në Likoc.

“Nga kjo kohë unë kam pas punë me Fatmir Limajn, me Brigadën. Kam qenë i organizuar në batalion dhe nuk kam pasur njohuri për Shtab të Përgjithshëm”, tha dëshmitari Qeriqi.

Ndërsa, në kohë të luftës, dëshmitari tha se ka menduar që përgjegjës për UÇK-në ka qenë në atë kohë Rexhep Selimi pasi sipas tij i kishte kërkuar Azem Syla që të shkojë me një letër në Likoc për t’ia dhënë Selimit.

Dëshmitari tha se nuk ka përgjigje pasi nuk e mban mend se a ka dëgjuar për Rexhep Selimin gjatë kohës para se t’iu bashkohet luftës në Kosovë.

“Nuk kam çfarë të them. Nuk kam përgjigje, nuk di se çfarë të them. Nuk mbaj mend që kam dëgjuar diçka për ata. Janë edhe nëpër gazeta dhe mund t’i lexoni nëse ka diçka”, tha ai.

Ai sërish theksoi se gjatë funksionit të tij, i ka raportu vetëm Fatmir Limajt dhe jo Selimit.

“Unë asnjëherë nuk i kam raportu, jemi marrë vesh me Fatmir Limajn që unë i raportoj Fatmir Limajt dhe Fatmir Limaj Rexhep Selimit. A i ka raportu a s’i ka raportu nuk e di… qysh kam thënë më herët qashty qëndron…Fatmiri ka pas një pozitë më të madhe se unë. A i ka raportu a s’i ka raportu nuk muj me ditë dhe nuk më intereson, unë i kam raportu atij, e Rexhës kurrë”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon takimit, dëshmitari tha se Azem Syla ia kishte kërkuar që t’ia japë një letër Rexhep Selimit më pas i cili e udhëzoi që të shkonte në Krojmir.

Dëshmitari e pohoi se Selimi nuk e urdhëroi, por e udhëzonte që të zbatonte atë që kishte kërkuar Azem Syla. Si rrjedhojë, dëshmitari tha se ka menduar që Selimi ishte më ‘i madhi’ në Likoc.

“Syla më ka thanë me u drejtu Rexhep Selimit me ia dhanë këtë letër dhe u kuptu që ai është më i madh aty”, tha ai, duke shtuar që nuk ishte takuar më asnjëherë me Selimin.

 

Ish-komandanti i UÇK-së mohon pjesëmarrjen në arrestime, ndalime apo keqtrajtime

(Përditësuar, ora 12:05)- Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari Ramiz Qeriqi tha se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në arrestime, marrje në pyetje, keqtrajtme apo edhe ndalime sa ka qenë pjesëtar i UÇK-së e në veçanti si komandant batalionit të dytë të Brigadës 121 në Pashtrik.

“Asnjëherë nuk kam marrë pjesë në ato gjëra. Unë ju kam tregu juve për gjithçka”, tha dëshmitari, pasi prokurorja Silvia D’Ascoli i tha atij se ka pretendime të tilla për të.

Qeriqi tha se roli i tij ka qenë tjetër dhe nuk ka qenë pjesë e këtyre gjerave për të cilat po pretendohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“S’jam marrë me ato se unë jam marrë me frontin. Unë kam qenë në front dhe s’kam qenë pjesë e këtyre gjanave.

Dëshmitari pohoi se ishin shqiptuar disa masa disiplinore ndaj disa policëve ushtarakë që ishin në Krojmir, por që kur ka ndodhur ngjarja, sipas tij ai nuk ka qenë i pranishëm në bazën e batalionit.

“Nuk kam qenë këtu. Kam qenë në përgatitje në luftë të Koshares. Por, këtu komplet ekipi mjekësor kishte qenë në probleme me Brigadën. Stafi policor që ka qenë atje në Krojmir. Janë sjellë keq diku me një qytetar, por kjo është e thanë prej tyre. Agron Ulluri, Azem Ulluri, këta kanë qenë në atë kohë. Komplet ekipa, janë të shenume atje dikun, komplet ekipa që ka qenë me policë”, tha dëshmitari.

Ndërsa, për Qerkin Dugollin, dëshmitari tha se ka qenë në personel të Brigadës.

Qeriqit iu prezantua një dokument që pretendohet se e ka nënshkruar Fitim Selimi për të cilin dëshmitari tha se ka punuar mjek në Zonën e Shalës, përkatësisht në fshatin Shalë. Ai tha se këtë dokument nuk e ka parë ndonjëherë dhe as nënshkrimin e tij.

“Ka qenë përgjegjës i mjekëve në fshatin Shalë. Jo që e kam pa najherë nënshkrimin e tij, po ai ka qenë aty si mjek”, tha ai, duke shtuar se e pohon faktin që UÇK-ja ka marrë donacione nga shumë persona sidomos sa u takon materialeve të kujdesit shëndetësor.

Ndryshe, dëshmitari është duke u marrë  në pyetje nga avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts.

Ai u fokusua tek një takim që kishte pasur dëshmitari me të akuzuarin Selimi gjatë kohë së luftës. Dëshmitari tha se takimi ka qenë mjaft i shkurtë dhe se ishte orientuar nga Selimi që të shkojë në Krojmir me kërkesën e Azem Sylës, që pretendohet se ishte e shkruar në një letër.

 

Ramiz Qeriqi pohon se kishte polici ushtarake në batalionin e tij

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) po vazhdon dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Qeriqi pohoi se në batalionin e dytë të Brigadës 121 ku bënte pjesë ai, kishte polici ushtarake.

Ish-pjesëtari i UÇK-së  shtoi se në batalione të UÇK-së ka pasur polici ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një rregullore e UÇK-së në të cilën sipas prokurores Silvia D’Ascoli thuhej se dëshmitari ia kishte dhënë edhe ushtarëve të tij.

Sipas këtij dokumenti, thuhej se flitej edhe për policinë ushtarake dhe rolin e saj e po ashtu edhe sjelljet e tyre sa i takon popullatës civile, e të tjera.

Dëshmitari konfirmoi se sipas rregullores, policia ushtarak kontrollonte lejet e udhëtimit, lejet e njerëzve, arrestimet dhe i dërgonin ushtarët në drejtim të brigadës.

Ramiz Qeriqi pohoi se në batalionin e tij kishte deri në shtatë anëtarë në policinë ushtarake dhe komandant i saj ishte Ajet Hasani, ndërsa zëvendës i tij, Ajvaz Koripuzi.

Dëshmitari tha se policia ushtarake ka filluar të funksionojë nga fundi i majit dhe fillimi i qershorit 1998. Po ashtu, pohoi se komandan i policisë ushtarake në nivel të brigadës ishte Haxhi Shala i njohur me nofkën “Topi”.

Ai pohoi po ashtu që policia ushtarake kishte të drejtën që të arrestojë edhe komandantë të batalioneve në rast të shkeljes së rregullave.

“Ashtu kanë thanë atëherë në atë kohë”, tha Qeriqi, duke pohuar se ushtarët pa leje qarkullimi edhe çarmatoseshin.

Ai gjithashtu pohoi se për arrestimin e civilëve duhej leje nga policia ushtarake.

“Ka qenë detyrë e tyre, jo e jona”, tha dëshmitari Qeriqi.

Sipas tij, këto rregulla pasqyrojnë detyrat e policisë ushtarake gjatë kohës që ka shërbyer si komandant.

Më  pas, atij iu paraqit një raport ku thuhej se dikush ishte në terren dhe i prezantuan rregulloren e policisë ushtarake për batalionin së bashku me sqarime. Dëshmitari tha se kjo ishte bërë pa prezencën e tij nga Haxhi Shala.

“Pa prezencën time. (Takimin e ka mbajtur) Ky që e ka mbajtur këtu, Haxhi Shala”, tha ai.

Edhe në fillim të seancës, dëshmitari u mor në pyetje nga prokurorja Silvia D’Ascoli, e cila u fokusua tek deklarata që kishte dhënë dëshmitari gjatë gjykimit të Fatmir Limajt më 2005.

Prokurorja tha se në një deklaratë dëshmitari kishte thënë se për të lëvizur nga njëri batalion në tjetrin duhej kërkuar leje, gjë të cilën e pohoi ai.

Për Isak Musliun ai tha se ka qenë pjesë e njësive në komandën e Fatmir Limajt dhe nofka e tij ka qenë Çerçizi. Po ashtu, edhe në deklaratat e mëhershme ai kishte thënë se Musliu kishte mjekër dhe e mori emrin nga luftëtarit shqiptar Çerçiz Topulli.

Qeriqi tha se propozimin që Isak Musliu ta ketë këtë nofkë, ia ka dhënë Ismet Jashari.

Prokurorja kërkoi që në prova materiale të pranohet një ditar me disa shkrime me aën të secilave u mor në pyetje dëshmitari, ndërsa kjo u kundërshtua nga të gjithë palët mbrojtëse të të akuzuarve.

Para kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III shfuqizoi vendimin e 4 prillit lidhur me kërkesat për mospjesëmarrjen fizike të të akuzuarve në sallën e gjyqit.

Trupi gjykues mori vendim që kërkesat e tilla duhet të bëhen 48 orë para seancës për të cilën është duke u kërkuar leja me përjashtim të rasteve të veçanta.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në GjilanBudakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

SHIKO MË SHUMË

Lipjanasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, konfisohet një armë me leje

Policia Kosovës ka njoftuar përseri se ankuesja femër kosovare, ka raportuar se bashkëshorti i...

Raportohet një rast dhunë në familje në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se ajo dhe...

Edhe një rast tjetër dhunë në familje në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i...