Kur më 14 mars 2013, Kuvendi i Kosovës diskutoi për Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, deputeti i PDK-së, Shaim Muja kërkoi “ekzaminim të viktimave të dhunës”, ngjalli reagime të ashpra për gjuhë seksiste.
Qysh atëherë deputetë dhe zyrtarë të lartë në nivel qendror dhe lokal u treguan të kujdesshëm me gjuhën e tyre ndaj kësaj kategorie të viktimave, por pesë vjet më pas, një gjuhë e tillë është përmendur sërish.
Tash është kryetari i Drenasit gjithashtu nga PDK-ja, Ramiz Lladrovci, i cili në mbledhjen komunale të mbajtur më 31 mars të këtij viti, ka bërë një krahasim fyes për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale.
Bëhet fjalë për një rregullore që Komuna e Drenasit në këtë mbledhje të Asamblesë Komunale e miratoi në lidhje me disa banesa komunale të cilat do të jepen me qira për përfituesit.
Disa prej kategorive të cilat do të kenë përparësi që të përfitojnë banesat me qera nga komuna, janë edhe familjet e dëshmorëve, luftëtarët e UÇK-së dhe familjarët e viktimave civile gjatë luftës së fundit. Por mungojnë viktimat e dhunës.
E kjo ka bërë që një asambleiste në këtë komunë të pyes kryetarin Lladrovci që në listën e personave që do të kenë përparësi në marrjen e këtyre banesave me qera, të jenë edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan Insajderi.
E arsyetimi i Lladrovcit ka qenë pak a shumë i njëjtë me atë të deputetit Muja.
“Viktimat e dhunës mundemi me i fut në kategorinë e përfituesve por mujna me pas shumë telashe, sepse mund të merren vesh viktimat mes vete, shkon paraqitet si viktimë e dhunës dhe ajo pastaj me burrin banon prapë aty dhe ish kanë me rrezik. Pajtohem nëse ju e votoni, por ish kanë me rrezik”, ka thënë Lladrovci.
Ai la të nënkuptohej se edhe njerëzit që nuk janë viktimat të dhunës seksuale do të bëhen si të tillë për të përfituar banesën me qira nga komuna.


