Rama: Referendum, nëse nuk ka konsensus për drejtësinë

PUBLIKUAR

Kryeministri Edi Rama nuk e përjashton mundësinë e një referendumi nëse nuk ekziston konsensusi mes palëve për reformën në sistemin e drejtësisë. Por kujton që edhe për referendum do të duheshin 2/3 e votave të parlamentit. Në një intervistë për “Top Channel”, kryeministri deklaroi se nuk ka ngërç për reformën në drejtësi. Ai shtoi se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e mazhorancës dhe as krizë. Rama pohoi gjithashtu se politika duhet të diskutojë dhe kërkojë konsensus mbi një draft pasi të ketë thënë fjalën e fundit Komisioni i Venecias.
Kryeministër, mbrëmjen e djeshme dhe paraditen e sotme keni zhvilluar takime me aleatin tuaj, Ilir Meta. Cilat janë çështjet që ju ndajnë apo ju bashkojnë për reformën në drejtësi? 

Kjo është një reformë historike, themelore në procesin e shtetndërtimit dhe jetike në përpjekjen për të transformuar sistemin e drejtësisë. Dhe si e tillë do të ishte anormale të mos kishte diskutim, debat dhe kundërshtime. Por, unë dua të theksoj se dakordësia është e plotë, procesi do vijojë siç është parashikuar dhe padyshim është pjesë e procesit që palët të shfrytëzojnë këtë mundësi që veç draftit të punuar nga grupi i ekspertëve të kërkojnë nga Venecia shpjegime plotësuese lidhur me mënyrën e interpretimit të rekomandimeve të opinionit, mbi të cilin janë bërë dhe reflektimet e draftit.

Thoni që keni dakordësi me Metën, por dje Meta tha se për reformën duhet të jetë patjetër e përfshirë PD-ja. A ndani të njëjtin qëndrim?

Ndaj absolutisht të njëjtin qëndrim, por i qëndroj bindjes se konsensusin me opozitën nuk mund ta kërkojmë në havanë e sherrit politik, por mbi bazën e raportit final të Komisionit të Venecias. Konsensusin e garanton këndvështrimi i Venecias, duke u bazuar në faktin se të gjitha palët e konsiderojnë atë pikë referimi të besueshme e të palëkundur. Dhe për sa kohë kemi këtë konsideratë, është Venecia që do të na ndihmojë në raportin final për të çelur një rrugë të sheshimit të mosmarrëveshjeve, që janë rezultat i një leximi të ndryshëm.

Megjithatë, zoti kryeministër, ekspertët e opozitës thanë dje se drafti i Ministrisë së Drejtësisë ka “brum”. A jeni gati ta diskutoni këtë draft?

Nuk ka një draft të Ministrisë së Drejtësisë. Ministria është pjesë e strukturës së qeverisë, e cila që në fillim ka mbajtur distancë ndaj këtij procesi, duke filluar nga unë në radhë të parë. Dua të theksoj se nga opinionet e palëve, në rastin konkret të PD-së dhe LSI-së, qoftë Komisioni i Venecias, qoftë grupi i ekspertëve ka marrë brum për t’ia bashkangjitur brumit të madh të krijuar në këtë 1 vit e gjysmë. Pra, janë reflektime të arsyeshme dhe jo vetëm të pranueshme, por të mirëpritura.

A është referendumi zgjidhja në kushtet e mosgjetjes së një dakordësie politike për reformën në drejtësi?

Për referendumin duhet dakordësia e dy të tretave të Parlamentit. Unë jam absolutisht pozitiv dhe i gatshëm të shkojmë në referendum nëse palët gjykojnë se populli duhet pyetur në këtë proces dhe në rast se dakordësia e plotë mes palëve që përfaqësojnë popullin në Parlament nuk është e mundur, ajo do të ishte rruga më e mirë e transparente për të gjitha palët, në mënyrë që secili të ndihet i qetë kur të ngrejë dorën për t’i dhënë votën dhe për t’i vënë vulën ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Zoti kryeministër, pse nuk u zhvillua darka e deputetëve të mazhorancës, pasi ka shumë ide konspirative për të. Pse u anulua?

Darka ishte caktuar të zhvillohej para Vitit të Ri. Për mospërputhje axhendash nuk u bë e mundur. U la në parim që do të bëhej pas Vitit të Ri. Pas Vitit të Ri patëm probleme me zonat e përmbytura dhe e pamë të arsyeshme që në këtë moment të mos sfidonim opinionin publik me një perceptim, që do të ishte i gabuar, se këta hanë e pinë ndërsa ne kemi probleme të tjera.  /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

“Drejtësi e vonuar”, Mërgim Lushtaku reagon pas vendimit për babanë e tij

Mërgim Lushtaku ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim lirues për babanë...

Arrestohet një person, dyshohet që ushtroj dhunë psikike në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për ushtrim...

Dhunë në Shtime: Një person bëhet për spital, në pranga 27-vjeçari

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një rrahjeje që ka ndodhur...