Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic do të ishte lojtar i lumtur, sikur Cristiano Ronaldo të largohej nga Real Madridi këtë verë.
Shumë gjëra kanë ndodhur në Barcelonë dhe Real Madrid në të kaluarën e afërt, dhe nëse Cristiano Ronaldo iu qëndron pas fjalëve të veta dhe largohet nga “Los Blancos”, Ivan Rakitic do të jetë lojtar i lumtur, transmeton Gazeta Express.
Pas largimit tejet befasues të trajnerit Zinedine Zidane javë më parë, edhe një emër tjetër legjendar mund ta braktisë “Santiago Bernabeun” këtë verë, e ai është Cristiano Ronaldo.
Portugezi është i palumtur për shkak se presidenti i klubit madrilen, Florentino Perez, nuk ia ka plotësuar kërkesat për pagë, dhe kjo mund ta shtyjë atë drejt largimit. Ronaldo kërkon pagë më të lartë se Lionel Messi te Barcelona dhe Neymar të PSG-ja, të cilët fitojnë shumë më shumë se portugezi.
“E kam të vështirë të besoj se ai do të largohet”, ka thënë Rakitic.
“Ama, gjërat ndryshojnë me shpejtësi në futboll… dhe nëse ai largohet, nuk do t’ju gënjej, do të isha i lumtur”, theksoi kroati. /Gazeta Express/


