68 deputetë të Kuvendit të Kosovës në seancën e së martës kanë miratuar unanimisht rezolutën e propozuar nga Daut Haradinaj i AAK-së për Forcat e Armatosura të Kosovës.
Sipas kësaj rezolute Qeveria e Kosovës autorizohet që sa ma parë, të koordinojnë dhe ta procedojë në Kuvend për miratim, strategjinë për transformim të Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Tutje, duke shprehur solemnisht përkushtimin e pa alternativë për integrim në Organizatën e Paktit Veri-Atlantik (NATO), Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat tjerë institucionalë të bashkërendojnë angazhimet për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta me NATO-n dhe SHBA-në për zhvillimin e kapaciteteve operacionale konform mandatit të ri të Forcave të Armatosura të Kosovës.
E në Qeverinë e Kosovës thonë se do të punojnë maksimalisht për këtë transformim, shkruan Indeksonline.
Faton Abdullahu, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se tashmë e dy vite qeveria ka punuar që ky proces të arrij ku është tani,
“Qeveria e Kosovës ka punuar intensivisht, sidomos Ministria e FSK-së, këto dy vitet e fundit dhe për rrjedhojë kemi arritur deri këtu ku në aspektin e ngritjes dhe përgatitjes teknike dhe profesionale, si dhe në aspektin e marrjes së pëlqimit nga partnerët strategjikë, kemi progres të madh dhe pajtueshmëri të gjerë që Kosova mund dhe duhet ta ketë Forcën e vet të Armatosur”, ka thënë Abdullahu.
Ai në një prononcim për Indeksonline theksoi se Qeveria është e përkushtuar maksimalisht për këtë transformim.
“Të obliguar, me aq sa obligon forca juridike e Rezolutës, për këtë çështje, në njërën anë dhe me përpjekjen konsekuente që këtë transformim të FSK-s ta bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët tanë strategjikë, do të mundohemi që të gjejmë balence funksionale demokratike për këtë proces, gjithmonë duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar Abdullahu.
Këshilltari i Mustafës paralajmëroi se qeveria do të punoj me intensitet të shtuar në mënyrë që mos të ketë më prolongime të pajustifikueshme në këtë drejtim.


