Qeveria ia dha 3.2 milionë euro Komunës së Drenasit

PUBLIKUAR

Qeveria e Kosovës ka vazhduar ta mbështesë kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovcin në projekte të reja. Pas Ministrisë së Infrastrukturës, e cila Lladrovcit ia ka bartur 1.6 milion euro dhe asaj të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që ia ka dhënë Komunës së Drenasit 1.3 milion euro për financimin e projekteve të ndryshme, tani edhe MAPL-ja ia jep Lladrovcit 200 mijë euro

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk do ta ketë fare probleme për t’i realizuar projektet e ndryshme pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka ndalur dorën për t’i financuar projektet që ai i ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit të vitit të kaluar. Pos 1.6 milion euro që Lladrovcit ia ka bartur Ministria e Infrastrukturës dhe 1.3 milion euro që ia ka dhënë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tani edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ia ka ndarë kryetarit të Drenasit 200 mijë euro për realizimin e projektit të një rruge. Në këtë mënyrë premtimi i Kadri Veselit, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në inaugurimin e fillimit të punimeve për rregullimin e shtratit të lumit Drenica se gjatë këtij viti Qeveria e Kosovës do t’ia japë Komunës së Drenasit 15 milionë euro po mbahet plotësisht.

Kryeparlamentari Veseli kishte thënë se realizimi i projektit të shtratit të lumit Drenica është projekti i parë që ka filluar të realizohet nga projektet të cilat i ka premtuar ai bashkë me Ramiz Lladrovcin gjatë fushatës elektorale.

“Ky është vetëm fillimi i investimeve në këtë vit. Do të jenë investime edhe rreth 15 milionë euro në komunën e Drenasit nga Qeveria Qendrore dhe nga pushteti komunal. Do të ketë investime të cilat asnjëherë më parë nuk i ka parë kjo komunë dhe do të vazhdojmë Drenasin ta transformojmë në një qendër moderne urbane dhe atë çfarë kemi premtuar të jetë në një qendër industriale dhe të bizneseve. Drenasi i ka të gjitha mundësitë që të jetë një shtytëse e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, pati thënë Veseli.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka arritur të sigurojë edhe 200 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për realizimin e projektit të rrugës në Godanc të kësaj komune.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i MAPL-së, ka thënë se rruga do të mbështetet me bashkëfinancim dhe ajo rrugë do ta lidhë qendrën e Drenasit me Godancin. Vlera e këtij projekti është 190 mijë euro, ndërsa punët pritet të fillojnë menjëherë dhe të përfundojnë gjatë këtij viti.

Me memorandumin e nënshkruar Komuna e Drenasit është e obliguar që t’i kryejë procedurat e tenderimit dhe do të caktojë komisionin e hapjes dhe vlerësimit të tenderit, gjithashtu do të caktojë edhe menaxherin, përkatësisht organin mbikëqyrës për realizmin e projekti dhe procedura të tjera, ndërsa MAPL-ja do t’i zotojë mjetet e bashkëfinancimit dhe do ta caktojë një zyrtar monitorues të projektit.

Por kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, mund të përfitojë edhe nga një projekt i agjencisë zvicerane për zhvillim “AOH”. Në një takim që Lladrovci ka pasur me përfaqësuesen e agjencisë zvicerane për zhvillim “AOH”, Debra Stevenson, dhe dr. Qamile Ramadani është folur për interesin që do ta ketë Komuna e Drenasit nga projektet që i realizon “AOH”-ja. Stevenson dhe Ramadani kanë njoftuar në hollësi për aktivitetet që janë zhvilluar gjatë vitit të kaluar dhe aktivitetet e projektet që do të zhvillohen në periudhën e ardhshme.

“Projekti i mbështetur nga agjencia zvicerane ‘AOH’ përfshin aktivitete që kanë të bëjnë me trajnimin e menaxhmentit shëndetësor në planifikimin e buxhetit, menaxhimin e resurseve humane, furnizimin me pajisje bazike të kujdesit parësor shëndetësor me çka synohet rritja e kualitetit të shërbimeve shëndetësore të komunës së Drenasit”, tha Lladrovci, ndërkaq përfaqësuesja e agjencisë zvicerane për zhvillim “AOH”, Debra Stevenson, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim që projektet e planifikuara për vitet në vazhdim të realizohen sipas dinamikës së paraparë./Zeri/

SHIKO MË SHUMË

Kërkesë publike për Arben Vitinë, mes lotësh flet asamblistja e VV-së sqaron pse e bëri kërkesën

Asamblistja e VV-së në Rahovec, Vlora Vuqiterna mes emocionesh, ka rrëfyer arsyet që e...

Këto janë zonat që do të mbesin pa energji elektrike sot

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të hënën,...

E pa nga afër performancën skandaloze kundër Kosovës, Dibrani: Turp!

Edlira Dibrani, Ambasadore e Rinisë Evropiane për Kosovën nga platforma WeBalkans, e cila ka...