Ditë më parë ish-kryetari i Komisionit për Veriun në KK të Mitrovicës, Vesel Neziri, ka deklaruar se rreth 200 metra larg murit që është ngritur së fundi pranë urës së lumit Ibër në Mitrovicë, serbët kanë nisur ndërtimin e një objekti tjetër.
E që sipas tij ndërtimi i objektit po bëhet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë njohuri për këtë ndërtesë, e cila tashmë ka filluar të ndërtohet dhe përgjegjësinë mbi këtë objekt po ia hedhin njëri-tjetrit.
Indeksonline ka kontaktuar me zyrën për media të Qeverisë së Kosovës, të cilët thanë se për këtë çështje duhet të bisedohet me Ministrinë e Drejtësisë ose Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.
“Për diçka konkrete drejtojuni Ministrisë së Dialogut apo Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë të cilët kanë inspektuar punimet ditë më parë”, ka thënë për Indeksonline, zëdhënësi për media në Qeverinë e Kosovës, Faton Abdullahu.
Edhe ministrja e Dialogut thotë së ndërtimet e tilla janë kompetencë e MMPH-së. Ajo gjithashtu sqaron se në marrëveshjen e Brukselit për asociacionin nuk bënë pjesë çështja e ndërtesës.
“Drejtojuni Ministrisë së ambientit dhe planifikimit hapësinorë për ndërtim të tilla. Ne marrëveshjen e Brukselit për asociacionin nuk bënë pjesë çështja e ndërtesës”, ka qenë përgjigja e Tahirit për Indeksonline.


