Profesori i Matematikës, Qëndrim Gashi, i është drejtuar opozitës duke u thënë se pretendimin që pushteti të merret me dhunë, nuk po e përkrah as votuesi e as masa.
“E frikshme se si po mendojnë disa. Nëse nuk i përkrahni, jeni ose kriminel ose i korruptuar ose servil. Një herë i patën shpallur të korruptuar e kriminelë edhe disa të tjerë, por pastaj kur janë bërë bashkë me ta i absolvuan nga të gjitha krimet e supozuara.
Askush nuk ka nevojë t’i mbrojë problemet ose ata që e dëmtojnë Kosovën. Nuk ka nevojë që një qytetar ose të pajtohet me secilin hap të koalicionit qeverisës ose të jetë plotësisht me kampin opozitar.
Pretendimin se me dhunë do të merret pushteti dhe se ashtu do të mbrohet sovraniteti s’po e përkrah as votuesi e as masa (dhe qartazi unë jam kundër). Pse të dalim në votime atëherë kur gjithmonë disa e ditkan se cila është rruga që ne duhet zgjedhur e nëse nuk e zgjedhim, ata me dhunë të na tërheqin zvarrë nëpër atë rrugë! A mendon dikush se çka ndodhi, pse në janar pati shumë protestues, që çoi në largimin e një ministri, e tash nuk ka? Dhuna duhet të jetë kapitull i mbyllur për Kosovën. Mjaft është dëmtuar vendi ynë.
Në vend të alternativave ka vetëm akuza, ka vetëm pikëpyetje (dhe shpifje). Në vend të fitores tek kutitë e votimit për rend dhe ligj, ekonomi, arsim, shëndetësi, dhe në raport me veprat dhe pozicionet raciste të Qeverisë së Serbisë, dëgjojmë kritika dhe kur nuk bindet dikush — dhunë.
Ata që i kundërshtojnë alternativat paqësore, që me ngulm i kritikojnë ShBA-të kurdo që t’iu jepet rasti (po, po, janë anti-amerikanë një numër i mirë në Partinë VV), që nuk dihet se çfarë aleancash e partneritetesh të jashtme kërkojnë, do të na dëmtojnë shumë nëse ne nuk u kundërvihemi aktivisht atyre.
Askush nuk ka pronësi mbi patriotizmin dhe nuk duhet toleruar kaosi dhe anarkia”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/


