Për shkak se nuk u kthye në kampin stërvitor të Paris Saint-Germainit në kohë, Neymarit nuk do t’i paguhet bonusi prej 375 mijë eurove për sjellje të mirë nga klubi francez këtë muaj.
Neymari është duke tentuar ta forcojë kthimin e tij në Barcelonë nga Paris Saint-Germaini këtë verë. Ai e dëshiron këtë transferim me shumë ngulm, dy vjet pasi u largua nga Camp Nou për Paris, transmeton Gazeta Express.
Dy klubet – Barcelona dhe Paris Saint-Germaini – kanë kohë deri më 2 shtator për ta arritur një marrëveshje të plota. Neymari tashmë ka arritur marrëveshje personalisht për kontratën e tij me Barcelonën, por gjithçka varet nga çmimi që PSG-ja ia kërkon Barcelonës.
Neymari e zemëroi PSG-në në fillim të kësaj jave, duke mos pranuar të kthehet në kampin stërvitor të klubit francez. Babai i 27-vjeçarit e mbrojti djalin e tij, duke thënë se PSG-ja e dinte se braziliani do të kthehej më 15 korrik.
Por, deklarata e PSG-së – ku pretendohet se klubi do ta ndëshkojë Neymarin për veprimin e tij – sugjeron diçka plotësisht të kundërt.
Për ta ndëshkuar Neymarin për mungesën e tij këtë javë, PSG-ja nuk do t’ia paguajë atij 375 mijë eurot në muaj, që ia jep zakonisht për sjellje të mirë. Kjo klauzolë është në kontratën e brazilianit.
E përditshmja spanjolle, Marca, raporton se ky bonus i Neymarit këtë muaj do të shkojë në shoqatën bamirëse të klubit. /Gazeta Express/


