Prokurorja thotë se ish-zyrtari i Komunës së Lipjanit ka dëmtuar buxhetin, mbrojtja e kundërshton

PUBLIKUAR

Prokuroja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Habibe Salihi, i është përgjigjur kërkesës së mbrojtjes së ish-shefit të planifikimit në Komunën e Lipjanit, Hasim Vishesella, për hudhje të aktakuzës.

Në seancën e së enjtes, e mbajtur para gjyqtarit të çështjes, Hamdi Ibrahimi, prokurorja Salihi, në përgjigjen e saj, kishte thënë se dy situacionet e nënshkruara nga ana e të pandehurit Vishesella vërtetojnë manifestimin e elementeve të veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Ajo shtoi se me nënshtrimin e këtyre dy shkresave i është mundësuar operatorëve ekonomikë “Stublla” dhe “Te Muhameti”, të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Me këtë gjë, sipas prokurores, i pandehuri i kishte shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës për shumat e cekura në dy dispozitivet e aktakuzës, në total prej rreth 70 mijë eurosh.

Po ashtu, prokurorja në këtë përgjigje kishte theksuar se ka prova të mjaftueshme që e mbështesin aktakuzën, prova këto që në mënyrë direkte e reflektojnë dashjen në kryerjen e kësaj vepre penale, shkruan betimiperdrejtesi.com

Në fund, prokurorja kishte kërkuar që kërkesa e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës të hudhet poshtë.

Ndërkaq, avokati Shpetim Sadiku, mbrojtësi i të pandehurit Vishesella tha se përgjigjja e prokurores me shkrim fare nuk jep përgjigje lidhur me kërkesat që mbrojtja ka paraqitur në atë kërkesë.

Në këtë përgjigje, sipas avokatit Sadiku, mungon argumenti që i mbrojturi i tij e kishte kryer veprën penale, për të cilën akuzohet e mbi të gjitha sipas tij, mungon argumentimi që i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

‘Tërë akti akuzues është ngritur mbi bazën e asaj që i mbrojturi im ka nënshkruar dy situacione për punë të papërfunduar, por a është shkaktuar dëm përmes kësaj, prokurorja nuk ka mundur ta vërtetojë me prova konkrete”, tha avokati Sadiku, i cili i propozoi gjykatës që ta hudhë aktakuzën.

Gjyqtari Ibrahimi i njoftoi palët se shqyrtimi gjyqësor nuk mund të caktohet pa u vendosur fillimisht për kërkesën e mbrojtjes lidhur me hudhjen e aktit akuzues, për të cilën do të vendoset në kohën e paraparë ligjore.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 korrik të këtij viti, i akuzuari Vishesella, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihej në barrë.

Më 28 prill të këtij vitit, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Hasim Vishesella, të cilin e akuzon për veprime të kundërligjshme të ndërmarra sa ishte shef i zyrës së planifikimit në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Lipjanit.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me kontratën e nënshkruar në mes të Komunës së Lipjanit dhe operatorit ekonomik “Stublla”, me titull “Ndërtim i shkollës në fshatin Banullë”.

Vishesella, sipas aktakuzës, si menaxher për kontratën, me qëllim të përfitimit për operatorin ekonomik “Stublla”, ka nënshkruar situacione të papërfunduara, ashtu që MASHT-i ka bërë pagesa për punë, që ky operator nuk i kishte realizuar.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës, kap vlerën e 44,436.85 euro.

Po ashtu, të njëjtën gjë sipas prokurorisë, i pandehuri Vishesella e kishte bërë edhe me operatorin ekonomik “Te Muhameti”, ku dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit arrit shumën prej 24,902.37, shkruan  betimiperdrejtesi.com

SHIKO MË SHUMË

Tentim vrasje në Lipjan: Viktima dërgohet në QKUK, i dyshuari në mbajtje

Një person është sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshje me një tjetër. I dyshuari u...

Ndëprerja e seancës në Lipjan, flet Kryesuesi Daut Azemi

Në lidhje me ndëprerjen e seancës së 9-të në Kuvendin Komunal në Lipjan, Lipjani...

Ndërpritet seanca Kuvendit Komunal në Lipjan, skishte kuorum, reagon PDK

Seanca e Kuvendit Komunal në Lipjan, e cila ishte parapar të mbahej sot, është...