Presidentja Atifete Jahjaga priti sot një delegacion nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, të udhëhequr nga Kamran Khan, zëvendëspresident i MCC-së.
Në një deklaratë pas takimit me delegacionin e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, Presidentja Jahjaga tha se “sot hapim një kapitull të ri ndërmjet Kosovës dhe agjencisë amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit si shembull të radhës së miqësisë së thellë të dy shteteve tona dhe përkrahjes për zhvillim dhe avancim që Kosova gëzon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
“Vizita e sotme e delegacionit të MCC-së vjen pas vendimit të Bordit të kësaj agjencie në dhjetor të vitit të kaluar për ta përzgjedhur Kosovën të zhvillojë programin Kompakt të ndihmës, program i gjerë investimi që do të përqendrohet në reformën e sektorëve të caktuar në dobi të krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të kualitetit të jetës dhe uljes së varfërisë në vendin tonë”, tha Jahjaga, njofton zyra e Presidentes.
“Kualifikimi i Kosovës për fondet e MCC-së është bërë i mundshëm krahas përparimit të Kosovës në reformat e gjithëmbarshme për zhvillim demokratik, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Zyrës time, në bashkërendim me shumë ministri dhe agjenci të Kombeve të Bashkuara të pranishme në Kosovë, për t’i mbledhur dhe raportuar për herë të parë shumicën e indikatorëve që shërbejnë si matës të përparimit të vendit nga kjo agjenci”, tha ajo.
Presidentja tha se vazhdimi i kësaj ndihme financiare në vitet në vijim do të varet ekskluzivisht nga përparimi që ne e shënojmë si vend, sidomos në luftën kundër korrupsionit.
“Me zotëri Khan diskutuam për zhvillimin e programit dhe sektorët që për ne kanë prioritet për t’i për mbushur synimet tona zhvillimore dhe për ta nxitur realizimin e potencialit ekonomik të Kosovës”.
Më tek presidentja tha se institucionet e Kosovës tashmë i kanë filluar përgatitjet për këtë proces dhe në konsultim të gjerë me komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile do të përpilojnë një plan të qartë të prioriteteve.
“Natyrisht, në Kosovë lista e prioriteteve është e gjatë, por ne duhet t’iu japim përparësi sektorëve ku rezultatet do të jenë afatgjata dhe do të përmirësojnë kualitetin e jetës së qytetarëve.
Fillimi i këtij programi është një mundësi e jashtëzakonshme për t’u angazhuar bashkërisht për lirinë ekonomike, investimin në qytetarë, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Jahjaga.
Ajo falënderoi zëvendëspresidentin e MCC-së për vizitën dhe fillimin e këtij një partneriteti. /Telegrafi/


