Presidentja e konsideron ndëshkues e diskriminues propozimin për shtrenjtim të rrymës!

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Dhunë fizike, psikike, kanosje e përdorim i armës, 12 raste të dhunës në familje në Kosovë në 24 orë

Policia e Kosovës ka njoftuar për 12 raste të dhunës në familje në 24...

Kurti: Demonstratat e vitit 1989, simbol i rezistencës së popullit të Kosovës ndaj shtypjes serbe

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar demonstratat popullore të vitit 1989, në 35 vjetorin e...

Presidentja Vjosa Osmani ka listuar një sërë rekomandime për Zyrën e Rregullatorit për Energji, në komentet që ia ka dërguar këtij organi, i cili më 17 janar publikoi një raport konsultativ me propozimin për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Shefja e Shtetit konsideron se struktura tarifore e propzuar nga ZRRE-ja është ndëshkuese dhe diskriminuese ndaj vetëm një grupi të shoqërisë, përderisa përgjegjësia për rritjen e konsumit është e të gjithëve. Sipas presidentes, me propozimin e ZRRE-së, 39% e konsumatorëve shtëpiak do ta bartin barrën e shtrenjtimit të gjithmbarshëm të energjisë elektrike në vend.

Në raportin ku ZRRE-ja dizajnoi tarifat e reja të energjisë elektrike thuhet se janë marrë për bazë edhe respektimi i objektivitetit të reflektimit të kostos për shërbimin që e marrin konsumatorët. Sipas presidentes, ky kriter që kërkon shmangien e diskriminimit ndërmjet grupeve të ndryshme të konsumatorëve nuk është përmbushur në raportin e ZRRE-së.

KLIKO KETU

Objektivi i përshkruar për ZRRE-në është që tarifat e paguara nga konsumatorët duhet, për aq sa është praktikisht e mundur, të pasqyrojnë kostot që ata ia ngarkojnë sistemit. Në këtë çështje, presidentja ka vërejtje.

“Struktura e propozuar tarifore nga ZRRE, e cila e vë pragun e konsumit në 600kWh/muaj (përtej këtij niveli të konsumit aplikohet rritja e çmimit të energjisë elektrike), rrezikon të jetë në kundërshtim të drejtpërdrejt me këtë objektiv. Me strukturën tarifore të propozuar, 39% e konsumatorëve shtëpiak do ta bartin barrën e shtrenjtimit të gjithmbarshëm të energjisë elektrike në vend. Edhe përkundër faktit që propozohet që përqindje të caktuara të rritjes së çmimit të energjisë për secilën kategoritë të mbulohen nga subvencioni i qeverisë (duke përfshirë edhe grupin e konsumatorëve mbi 600kWh), struktura aktuale tarifore shihet si ndëshkuese dhe diskriminuese ndaj vetëm një grupi të shoqërisë, përderisa përgjegjësia për rritjen e konsumit është e përbashkët”, theksohet në komentet e dërguara nga Presidentja Osmani.

Zyra e Presidentes konsideron se rikthimi në tri bllok tarfia, siç ishte para vitit 2017, do të ishte një trajtim më korrekt ndaj konsumatorëve dhe se kjo do ta shpërndante në mënyrë më të barabartë rritjen e çmimit të rrymës.

“Rrjedhimisht, ZPRK propozon që në strukturën tarifore aktualisht të propozuar nga ZRRE, mos të ketë vetëm një kufi të ndarjes në mes të konsumatorëve, por te shtohen dhe dy blloqe të reja. Një strukturë e tillë tarifore do të ndihmonte që të bëhej dallimi në mes të konsumatorëve që me konsumin e energjisë elektrike mbulojnë nevojat më bazike, konsumatorëve të cilët paraqesin një ekonomi familjare me shpenzime mesatare, dhe konsumatorëve të cilët me raste të caktuara e shfrytëzojnë energjinë elektrike për nevoja të luksit”, thuhet në propozimin e presidentes.

Vjosa Osmani kërkon po ashtu që edhe bizneset të përfshihen në skemën e re tarifore, të cilat sipas propozimit paraprak nga ZRRE-ja, nuk prekeshin nga shtrenjtimi i rrymës. Kjo, sipas presidentes, do ta lehtësonte barrën për konsumatorët shtëpiakë.

“Me propozim të strukturës tarifore me tri blloqe, përkundër rritjes së çmimit të energjisë, rritja do të ishte dukshëm më e përballueshme për të gjithë, dhe në mënyrë të tillë, edhe shuma e subvencionit të ofruar nga Qeveria do të mund të përdorej për mbulimin e barrës së më shumë kategorive të konsumatorëve në mënyrë më të njëtrajtshme. Në të kundërtën, në rast të hezitimit të rikthimit në 3 blloqe tarifore, duhet të shqyrtohet mundësia e rritjes së pragut prej 600kWh/muaj”, thuhet në këtë propozim.

Gjithashtu, ZRRE-së i kërkohet edhe që para aprovimit të skemës së re tarifore, të kërkojë përkatitjen e një plani energjetik të shkëmbimit të energjisë elektrike me Shqipërinë, duke u bazuar në frymën e bashkimit të tregjeve elektrike.

ZRRE-ja po ashtu duhet ta bëjë një rishikimin të parashikimeve për konsum të energjisë elektrike në vend, e me ç‘rast, sipas presidentes, do të duhej të rishikohej edhe struktura e re tarifore që e ka propozuar.

“ZRRE-ja ftohet që me seriozitet të trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend”, thuhet ndër tjerash në kërkesat e presidentes.

Në fund, shefja e shtetit thotë se komentet dhe propozimet e dorëzuara në organin që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, kanë nevojë për kohë shtesë dhe trajtim të duhur. Kësisoj, Vjosa Osmani i ka kërkuar ZRRE-së që ta shtyjë afatin e zbatimit të strukturës së re tarifore, i cili fillimisht ishte propozuar për datën 1 shkurt (sot).

Çka ka propozuar ZRRE-ja në raportin konsultativ?

Raporti konsultativ i ZRRE-së u bë në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që ky organ e ka bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

ZRRE-ja propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE ka thënë se rritjes së çmimit të rrymës do t’i shpëtojnë vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë më pak se 600 kWh rrymë në muaj dhe bizneset.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

SHIKO MË SHUMË

Dhunë fizike, psikike, kanosje e përdorim i armës, 12 raste të dhunës në familje në Kosovë në 24 orë

Policia e Kosovës ka njoftuar për 12 raste të dhunës në familje në 24...

Kurti: Demonstratat e vitit 1989, simbol i rezistencës së popullit të Kosovës ndaj shtypjes serbe

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar demonstratat popullore të vitit 1989, në 35 vjetorin e...

Mot me shi, temperaturat shënojnë rritje

Për të enjten në Kosovë parashikohet fillimisht të kemi parakalimin e sistemit frontal gjatë orëve të...