“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga Presidentja e Republikës së Kosovës. KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive të tyre. Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Elezi.
Mirëpo, sipas tij, KQZ nuk ka buxhet, por do të përgatisë kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar.
“Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, tha ai.
Sot gjatë ditës, juristi Ehat Miftaraj, foli për dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës. Sipas tij, në këtë rast presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet.
“Në raport me komunat në të cilat kanë dhënë dorëheqje kryetarët serbë, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese konsiderohet që këto dorëheqje kanë efekt politik andaj presidentja e Kosovës në bashkëpunim me Komisionin Zgjedhor do të duhej të takoheshin sa më shpejtë që brenda afatit ligjor prej 45 ditëve të shpallin zgjedhjet në këto komuna”, deklaroi Miftaraj për Express.
Lidhur me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore, ka reaguar dje edhe Blerim Vela, shef i i stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani.
Ai tha se “vetëm zgjedhjet prodhojnë përfaqësim ligjor dhe legjitim”.
“Strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë kurrë nuk kanë qenë/do të jenë përfaqësues ligjorë dhe legjitimë të serbëve. Vetëm zgjedhjet sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës prodhojnë përfaqësim ligjor dhe legjitim. Kryetarët e 4 komunave që dhanë dorëheqjen i tradhtuan qytetarët në ato komuna”, ka shkruar ai.
Kujtojmë që përfaqësuesit e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga postet e deputetëve. Po ashtu, serbët janë larguar edhe nga Policia e Kosovës dhe gjyqësori. Ata kanë tri kërkesa, tërheqjen e vendimit për targat, krijimin e asociacionit dhe emërimi i një komandanti serb të policisë në veri.