Njohës të fushës në një prononcim për Telegrafin, thonë se fjalimet e opozitës nuk ishin në nivel, ndërsa dy kryeministrat “faktik” dhe “formal”, kishin pritje të tjera sa i përket protestës.
Analisti, Nexhmendin Spahiu thotë se ky ishte suksesi më i madh i opozitës. Kjo për faktin se sipas tij, përveç tjerash, kishte një numër të madh të protestuesve për dallim nga hera e kaluar, por që nuk kishte dhunë dhe prezenca e flamujve të Kosovës.
“Nga ky fakt pamë mjaft të shqetësuar dy kryeministrat, Hashim Thaçi ‘faktik’ dhe Isa Mustafa ‘formal’. Ishin sikur deklaratat e fëmijëve që hypin në ballkon dhe shajnë fëmijët tjerë pas një beteje të humbur”, tha Spahiu duke shtuar se pozita arsyetoheshin nga faktori ndërkombëtar “që këta janë njerëz të dhunës, dhe nuk e kanë idenë e shtetit të Kosovës”.
Ndërsa sa i përket fjalimeve Spahiu tha se: “Fjalimi i Ramush Haradinaj dallonte astronomikisht nga të tjerat. Ishte më i qartë dhe më i kuptueshëm. Ndërsa, fjalori i Dardan Molliqaj ishte revolucionar”.
Ndërkaq, Imer Mushkolaj tha se fjalimi i Thaçit dhe Mustafës të lënë pa fjalë.
“Nuk kam fjalë që t’i përshkruaj. Ishte një fjalim …Ata njëmend paskan pritur që të ndodh diçka. Ishin shumë të frikësuar”, tha ai për Telegrafin.
Sipas tij, protesta ka qenë shumë mirë e organizuar dhe mbi të gjitha shumë dinjitoze, ndërsa fjalimet e opozitës ishin “kot”.
“Besoj që opozita është dashur të zgjedh emra të tjerë për të mbajtur fjalim. Fjalimi më i tepruar ishte sekretarit të LVV-së, Dardan Molliqaj”, tha tutje Mushkolaj.
E sa i përket gjestit të Ramush Haradinajt, i cili pas përfundimit të protestës u kthye dhe ndihmoi në pastrimin e sheshit, Spahiu dhe Mushkolaj e vlerësuan shumë. /Telegrafi/


